Milan duket se është i gatshëm të bëjë një ndryshim rrënjësor në skuadrën aktuale, duke planifikuar shitjen e 3 yjeve kryesor si Theo Hernandez, Rafael Leao dhe Mike Maignan.
Klubi kuqezi pret të arkëtojë një shifër rreth 250 milionë euro nga shitja e 3 lojtarëve të sipërpërmendur dhe me këto para synohet të forcohet skuadra me të paktën 5 transferime të reja.
Nuno Tavares, mbrojtësi i majtë i zgjedhur për të zëvendësuar Theo Hernandez, portugezi ka bërë një performancë të shkëlqyer te Lazio ku është i huazuar nga Arsenal, me detyrim blerjeje në fund të sezonit. Me nëntë asiste në 22 ndeshje, portugezi ka demonstruar aftësinë e tij sulmuese, thelbësore për të mbushur boshllëkun që do sjellë largimi i Theo Hernandez.
Emri i dytë është Diogo Costa. Për pozicionin e portierit, Milan kërkon një ish-lojtar të Sergio Conceicao, që është Diogo Costa. Portieri 25-vjeçar i Porto-s ka punuar më parë me Conceicao-n, kur ai drejtonte skuadrën portugeze dhe shihet si zëvendësuesi ideal për Maignan.
Klubi kuqezi synon të forcojë edhe qendrën e mbrojtjes, ku synimi është Piero Hincapie. 23-vjeçari ekuadorian është një nga lojtarët më të spikatur te Bayer Leverkusen dhe profili i tij si qendërmbrojtës është pikërisht ajo që Conceicao-s i duhet për të riorganizuar linjën mbrojtëse.
Në mesfushë, është një tjetër njohje e Conceicao-s, Alan Varela, mesfushori i Porto-s, tiparet e të cilit përshtaten me kërkesat e trajnerit portugez dhe me planin që ai ka për të riorginzuar mesfushën e Milan-it.
Për të zëvendësuar largimin e mundshëm të Leao-s, Milani i ka vënë sytë te Luis Diaz. Anësori kolumbian nuk është në planet e Liverpool-it për sezonin e ardhshëm dhe skuadra italiane e konsideron atë një përforcim strategjik për krahun e majtë.