Gazetare: Fatlume Dervishi
BDI-ja pyeti partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE-në dhe VLEN-in se përse kanë qëndrime të ndryshme rreth punësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, shkruan Alsat.
Kjo çështje u hap në seancën për pyetjet e deputetëve.
“Kemi një realitet paralel ku një pjesë e qeverisë shpall suksesin e madh të punësimit të shqiptarëve sa për tetë vitet e kaluara, gjithmonë sipas z. Mexhiti, ndërsa pjesa tjetër e qeverisë e mohon ekzistencën e këtij të ashtuquajtur sukses i madh. Nëse Ministria e Financave nuk ka nënshkruar asnjë punësim mbi baza etnike siç deklaron ministrja Dimitrieska-Koçovska, dhe ne e besojmë këtë, për shkak se nuk ka balancues, a ligjin për përfaqësim të drejtë e presim herë këtë të enjte, herë atë të enjte, a mos duhet të pranojnë Mexhiti dhe shokët e tij se po operojnë në një botë ku çdo deklaratë krijon realitetin e vet, ku sipas partnerit të tyre të koalicionit, është thjeshtë si në librin “Liza në botën e çudirave”?”, tha Rina Ajdari, BDI.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se gjetja e personave cilësor dhe të interesuar të punojnë në institucionet publike është problem. Ai tha se nuk janë të interesuar të punësojnë sipas parimit të punësimeve në Lotarinë shtetërore.
“Ja unë do të doja tani në kabinetin tim për atë rrogë që është, të gjithë të jenë shqiptarë. Nuk ka, nuk janë të interesuar. Ka të punësuar si shembull, ata në Lotari, pjesa më e madhe aktivistë të partisë tuaj politike, të cilët vetë dhanë dorëheqje pas formimit të qeverisë së re. Në fakt nuk e di as a mund t’i quaj të punësuar sepse as nuk kanë shkuar në punë por kanë marrë rrogë. Unë bëj ftesë publikisht të ketë sa më shumë aplikantë shqiptarë, turq, romë, serbë, boshnjakë, të futen në administratë dhe nuk jam rob i përqindjeve vetëm të ketë persona cilësor që janë të motivuar të punojnë. Nuk kanë interes. Askush nuk vjen për 25 mijë denarë rrogë. Sepse një i arratisur tjetër që është në listën e zezë mendonte se ky shtet është i atij, luante futboll, pak punonte në Lotari, pak merrte vende me qira që i paguante dhjetë herë më shumë se çmimi i tregut, pak blinte hapësira në qendër të Shkupit për familjen e tij. Kështu thithej nga buxheti i shtetit i cili tani nuk mund të lejoi rrogë dhe të ardhura më të larta që të mundemi të jemi më atraktivë si sektor për të pasur edhe më shumë shqiptarë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Korniza e ligjit të ri për përfaqësim të drejtë, sipas Mickoskit është gati. Ligji do të jetë kushtetues, do të merret pëlqim nga Komisioni i Venecias dhe më pas do të miratohet. / Alsat.mk