Vazhdon beteja për ta rikthyer edhe votuesin e fundit

Pas publikimi të listës së emrave nga ana e KSHZ-së, me të cilën u propozua që të largohen 39.502 votues nga lista e përgjithshme zgjedhore në Maqedoni dhe menjëherë pas analizës së shkurtër të listës në fjalë, Lëvizja BESA erdhi deri në konstatimin se përmbajtja e kësaj liste është skandaloze. Për të qenë të sigurt në këtë konstatim, ndërmorëm disa hapa konkrete dhe në fund, pas analizës së detajuar të listës zgjedhore dhe sidomos pas të dhënave që na erdhën nga strukturat tona të cilat kanë punuar vazhdimisht në terren dhe kanë ndërmarrë aktivitete në lidhje me rikthimin e këtyre votuesve të fshirë padrejtësisht, kemi konstatuar shumë probleme evidente dhe përdëftim të hipotezave tona në fillim të analizës. Konstatimet tona janë këto:

Emrat në këtë listë nuk janë fiktivë por realë;

Shumica e tyre janë shqiptarë;

Shumica e tyre janë me orientim opozitar;

Analizat tona dhe të dhënat nga terreni na sollën te konstatimi se në përmasa të mëdha hipotezat tona janë të sakta, ndërsa ndërkohë na dolën edhe probleme të tjera, që nuk i kemi parashikuar dhe pritur në fillim të analizës. Në vijim po i japim të dhënat dhe karakteristikat e analizës në formë të shkurtër:

Shumica e votuesve të vendosur në këtë listë, pra rreth 90 %, janë njerëz realë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Maqedoni;

Mbi 70% e votuesve në listë janë shqiptarë;

Shumë emra nga kjo listë rezultoi të jenë persona të afërm me funksionarët e lartë të Lëvizjes BESA, por edhe të subjekteve tjera opozitare;

Shumica e votuesve në listë janë gra, mbi 60%;

Ekzistojnë persona të cilët njihen publikisht dhe janë në këtë listë (p.sh.: profesorë universitarë, analistë, gjykatës të Gjykatës Kushtetuese etj)

Një numër i konsiderueshëm i votuesve nga kjo listë janë persona të rinj, të cilët ndoshta do të votojnë për herë të parë.

Ka pasur probleme gjatë funksionimit të softuerit për regjistrimin e personave që gjenden në listën për t’u fshirë.

Përveç analizës së listës dhe të dhënave nga terreni, Lëvizja BESA gjatë kësaj kohe ka organizuar edhe aktivitete të tjera në funksion të realizimit sa më të mirë të projektit “Jam votues”.

Ka konvokuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë Qendrore lidhur me këtë problematikë;

Ka themeluar Shtabin e Emergjencës enkas për realizimin e këtij projekti;

Ka mbajtur konferencë për media ku i ka shpalosur vendimet e Kryesisë Qendrore;

Ka shpërndarë fletëpalosjen “Jam votues”, ku janë shpjeguar mënyrat se si mund të rikthehen në listën zgjedhore emrat e evidentuar për fshirje;

Deri më datën 18.08.2016, nga aktivistët e Lëvizjes BESA, janë kontaktuar mbi 70% të njerëzve të kësaj liste;

Ka ngritur iniciativë zyrtare deri te Gjykata Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar, me të cilin një pjesë e qytetarëve diskriminohen duke u cenuar e drejta e tyre elementare për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur;

U ka shkruar letra zyrtare katër liderët e partive politike nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës; ambasadave të SHBA-ve, BE-së, Italisë, Britanisë së Madhe, Francës e Gjermanisë; misionit të OSBE-ODIHR-it, Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Avokatit të Popullit, Komitetit të Helsinkut, Transparency International – Macedonia dhe Human Rights Watch;

Nga analizat dhe të dhënat e terrenit kemi detektuar tendencën që me çdo kusht të mbetet disbalanca e votuesve në bazë të njësive zgjedhore si në vitin 2014, me çka edhe më tej në njësinë numër 6 (të quajtur “shqiptare”) do të ketë shumë më tepër votues sesa në njësitë e tjera zgjedhore.

Në realizimin e projektit “Jam votues” kanë marrë pjesë të gjitha strukturat e Lëvizjes BESA, si dhe forumet e të rinjve dhe të grave, duke organizuar aktivitete të posaçme në funksion të realizimit të këtij projekti;

Së fundmi, është dërguar edhe një kërkesë deri të KSHZ-ja, ku është kërkuar që – për shkak të vërshimeve dhe gjendjes së krizës të shpallur edhe zyrtarisht në Maqedoni – të shtyhet afati për paraqitjen e personave që gjenden në listën e KSHZ-së, të cilët duhet të fshihen nga lista zgjedhore.

Në fund, edhe pas rezultateve të shpallura se vetëm 8.901 votues janë rikthyer në listën e përgjithshme të votuesve, Lëvizja BESA, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat politike që i ka në dispozicion, zotohet se do të vazhdojë me angazhimin e saj për ta zhvilluar këtë betejë deri në fund dhe për ta rikthyer edhe votuesin e fundit që ka të drejtë vote në listën e votuesve.

Pa zgjedhje të drejta, të lira dhe korrekte ky shtet nuk ka ardhmëri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme