Kushtetushmëria për shndërrimin e medresesë në gjimnaz – Vitin e kaluar shpifte ndaj Alsat, tash BDI heshtë, nuk kthen përgjigje!

Në gusht të vitit të kaluar, opozitarja BDI akuzonte Televizionin Alsat për nivel të ulët profesionalizmi dhe përhapje dezinformatash në lidhje me lajmin se nxënësit që përfundojnë arsimin e mesëm fetar nuk do të mund të regjistrohen në asnjë fakultet tjetër përveç atyre fetare, pavarësisht vendimit nga Qeveria e kryesuar nga Talat Xhaferi që promovonte me pompozitet të kundërtën.

Megjithatë, integristët e Ali Ahmetit heshtin ndaj hapjes së procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatë Kushtetuese, epilogu i të cilës do të jetë shfuqizim ose anulim i atij vendimi. BDI-ja, krahas pyetjes së dërguar në email-in zyrtar, nuk e sheh të arsyeshme të thotë asnjë fjalë të vetme për iniciativën e kushtetueses, megjithëse para 8 muajsh rrihte gjoksin e nuk kursente fjalët për të hedhur vrer kundër raportimit profesional të gazetarëve të ALSAT, që BDI-ja thoshte se ka arritur fundin e standardeve të gazetarisë duke dëmtuar seriozitetin e besueshmërisë dhe informimit publik.

Raportimi i Alsat mbështetej në deklaratën e ministres së Arsimit, Vesna Janevska, e cila theksoi se edhe për këtë vit të ri akademik, ligji është i qartë: pavarësisht idesë për futjen e lëndëve shtesë në të, si dhe ndryshimin e karakterit të saj, Medreseja nuk mund të trajtohet dhe të ketë statusin si shkollat e mesme apo gjimnazet e tjera në vend.

“Vlerësoj se është masë populiste sepse nuk ka bazë ligjore që t’u thuhet atyre fëmijëve se munden. Pra, këtë vit ata që përfunduan shkollat fetare nuk mund të regjistrohen në asnjë fakultet tjetër”, tha Vesna Janevska, minister e arsimit.

Bashkësia Fetare Islame reagoi dje ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me hapjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Qeverisë që i dha dritë jeshile themelimit të “Medresesë Isa Beu” si shkollë e rregullt private. Nga BFI-ja theksojnë se mbeten me shpresë që Kushtetuesja të reflektojë dhe të sjellë vendim të drejtë në dobi të nxënësve.

Megjithatë, gjykatësit kushtetues mbështeten në amendamentin 7 të Kushtetutës, në të cilin theksohet qartë ndarja e religjionit nga shteti. Qëndrimin për hapjen e procedurës e mbështesin në bazë të paragrafit 2 të të njëjtit amendament në të cilin thuhet se bashkësitë fetare mund të themelojnë shkolla, por ato duhet të jenë fetare.

BFI-ja thirret në të drejtën që buron nga paragrafi 6 i nenit 10 të Ligjit për Arsim të Mesëm, në të cilin thuhet se shkollë të mesme private mund të themelojë personi juridik si dhe personi fizik i huaj dhe i vendit, në bazë të lejes, në pajtim me këtë ligj.

Megjithatë, gjykatësit kushtetues theksojnë se pavarësisht statusit juridik të BFI-së, ajo është bashkësi fetare dhe si e tillë ndalohet që të themelojë shkollë. Ata mbështeten në nenin 7 të Ligjit për Arsim të Mesëm, i cili thekson se ndalohet çfarëdolloj organizimi dhe veprimi fetar në shkolla të mesme.

Më 26 mars të vitit të kaluar, qeveria e udhëhequr nga Xhaferi njoftoi opinionin se e kishte zgjidhur problemin e nxënësve të Medresesë Isa Beu, të cilët nuk mund të hynin në provimin e maturës shtetërore, e më pas edhe të regjistroheshin në universitetet shtetërore. Me vendimin, Medreseja, e cila paraprakisht funksiononte si shkollë fetare islame u transformua në gjimnaz privat, e cila do të zhvillonte procesin mësimor ashtu si të gjitha shkollat e tjera, sipas programit të Byrosë për Zhvillimit të Arsimit. Shfuqizimi apo anulimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese do të kthente procesin mbrapa./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme