Gazetar: Suad Bajrami
Nëse vërtetohen akuzat e qeverisë, të theksuara në propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit, atëherë Lupço Kocevski, mund të përfundojë prapa grilave.
Kështu theksoi avokati Ibraim Bajrami në intervistën për Alsat, në lidhje me pasojat eventuale për veprimet e Kocevskit, që sipas Qeverisë, ai ka bërë lëshime dhe gabime të theksuara profesionale gjatë udhëheqjes me Prokurorinë Publike e mbi të gjitha ka dhënë sekrete për procedura hetimore.
Megjithatë, sipas Bajramit, ekzekutivi këto akuza duhet t’i mbështesë në prova, jo vetëm në deklarata.
“Mundet, keqpërdorimi i pozitës zyrtare pse është me vetëdije, por kjo… Tani, në qoftë se ne e trajtojmë pasi që ligji amë është Ligji për Prokurorinë, ky vërtetim i akuzave që bën qeveria brenda propozimit që ka, duhet të kalojë brenda Komisionit Disiplinor, brenda Këshillit të Prokurorëve dhe nga ajo që do të dalë nga Komisioni Disiplinor, do të burojë mendimi. Mendimi është për t’u shkarkuar si mendim pozitiv, apo nuk është për t’u shkarkuar. Padyshim se si shoqëri dhe si organe shtetërore duhet që të mësohemi t’i ballafaqojmë argumentet e mbështetura në prova, por jo vetëm në deklarata”, tha Ibraim Bajrami, avokat.
Sipas Bajramit, nëse shumica parlamentare e shkarkon kryeprokurorin pa mendimin ose me mendim negativ të Këshillit të Prokurorëve, Kuvendi kryen shkelje.
“Në rast se Këshilli i Prokurorëve jep një mendim negativ ndaj Qeverisë për shkarkim… Nuk mund të shkarkohet. A ka drejtë ta procedojë Kuvendi shkarkimin e tij. Assesi, do të jetë vendim politik, jo vendim i bazuar në ligj”, u shpreh Ibraim Bajrami, avokat.
Ndryshe, shkarkimi i Kocevskit, vjen në kohën kur Qeveria ka nisur luftë të hapur për siç pretendojnë ata reforma në sistemin gjyqësor. Kryeministri Mickoski paraprakisht, ka deklaruar se pas shkarkimit të kryeprokurorit, radhën e ka Këshilli Gjyqësor./ Alsat.mk