“U arrestuan 792 persona!” – Policia bën bilancin e muajit shkurt: Janë zhvilluar 105 operacione dhe u sekuestruan pasuri me vlerë 1.5 mln euro

Gjatë muajit shkurt policia e Shtetit ka zhvilluar 105 operacione dhe janë vënë në pranga 792 autorë të dyshuar veprash penale.


Në një bilanc të punës, policia thotë se 23 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizata kriminale të trafikimit të narkotikëve, krime kundër personit dhe krime të tjera, janë kapur në Shqipëri dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin, gjatë operacioneve të zhvilluara si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.

Po ashtu 8 shtetas të tjerë të kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare, 3 prej tyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u ekstraduan në Shqipëri, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, me partnerët gjermanë, turq, italianë dhe grekë.

55 shtetas që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale, janë kapur dhe vënë në pranga, në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve të pandërprera dhe i administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.

“27 armë zjarri, 3 silenciatorë, 85 kapsolla detonatore, 4 armë gjahu, 5 maska, 4 jelekë multifunksionalë, 20 armë të ftohta dhe sende të tjera të kundërligjshme janë sekuestruar si rezultat i operacioneve për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe kontrolleve në ambiente të ndryshme.

40 kilogramë kanabis, rreth 5 kilogramë kokainë, qindra doza kanabis e kokainë, 150 doza heroine, 500 doza ekstazi, pajisje për presimin e lëndëve narkotike dhe ndarjen e tyre në doza, shuma parash të përfituara nga shitja e narkotikëve, dhjetëra automjete dhe celularë, janë sekuestruar si rezultat i operacioneve të zhvilluara për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, thotë policia.

Gjithashtu, nga dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, u sekuestruan 780 bimë kanabisi, 80 llamba, 80 transformatorë dhe 8 aspiratorë.

Dy operacione të zhvilluara në Tiranë goditën trafikimin e lëndës narkotike kanabis nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar.

2 grupe të strukturuara kriminale me veprimtari në fushën e  narkotikëve u goditën si rezultat i operacioneve të përbashkëta të zhvilluara me partnerët italianë.

20 operacione të tjera të zhvilluara në të gjithë vendin goditën veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në doza, në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera, ndërsa 1 operacion zbuloi dy ambiente të mbyllura, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje të posaçme, në Vlorë.

Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje janë zhvilluar 18 operacione. Gjatë 2 operacioneve të zhvilluara në Tiranë dhe 1 operacioni të zhvilluar në Vlorë u goditën raste të tentativës për të shitur armë zjarri.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, në 13 raste, ka parandaluar ngjarje të mundshme kriminale në familje dhe përshkallëzimin e disa konflikteve për motive të dobëta, me armë zjarri e armë të ftohta.

Puna hetimore profesionale e strukturave të Policisë, ka çuar në  zbardhjen e 2 raste të vënies së lëndëve eksplozive në subjekte, zbardhjen e djegies së qëllimshme të 5 automjeteve si  dhe në zbardhjen e  65 raste të vjedhjeve të ndryshme, 12 prej tyre të kryera me thyerje/dhunë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë zhvilluar 14 operacione, si rezultat i të cilëve janë sekuestruar: pasuri me vlerë 1 500 000 euro, mallra të ndryshme të kontrabanduara, pajisje kompjuterike, dokumente të ndryshme, shuma parash dhe sende të kundërligjshme.

Njëri prej operacioneve  i zhvilluar me partnerët amerikanë goditi një grup kriminal që falsifikonte dokumente, me qëllim për t’ia shitur shtetasve që synonin të kalonin ilegalisht kufirin, një operacion zbuloi një ambient të përshtatur për falsifikimin e certifikatave të mbrojtjes së gjuhëve të huaja, ndërsa një operacion tjetër zbuloi një ambient të përshtatur si call center, ku mashtroheshin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.

Gjithashtu, janë goditur 5 raste të veprimtarisë së paligjshme të prostitucionit dhe 1 rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Si rezultat i kontrolleve në lokale dhe ambiente të ndryshme, u goditën 25 raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Dhjetëra celularë, makineta dhe tavolina pokeri u sekuestruan nga Policia.

Në të gjithë vendin janë arrestuar/proceduar në gjendje të lirë, 60 shtetas, për dhunë në familje, si dhe janë goditur 35 raste të krimeve kundër mjedisit.

Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, për të  parandaluar aksidentet rrugore dhe  për të eliminuar pengesat artificiale që krijojnë vonesa dhe fluks në lëvizjen e lirë të automjeteve por dhe të këmbësorëve. Gjatë këtij muaji, ka pasur prezencë të shtuar të punonjësve të Policisë Rrugore, në akset rrugore në zonat malore, për shkak të vështirësimit të qarkullimit nga moti i keq.

Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

Janë vënë në pranga 215 drejtues mjetesh, nga të cilët 116 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 99 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi;

Janë pezulluar 200 leje drejtimi, nga të cilat 16 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 10 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 174 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

Policia Kufitare, krahas punës për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, ka parandaluar dhe goditur edhe:

-60 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 19 raste të falsifikimit të dokumenteve, 10 raste të kontrabandës së mallrave, 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 8 raste të mosdeklarimit të parave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme