Në pjesën më të madhe të qarqeve ka përfunduar numërimi i votave nga primaret që u zhvilluan të shtunën nga Partia Demokratike. Tirana ka qenë qarku me numrin më të lartë të kandidatëve, plot 81 të tillë.

Siç raporton gazetarja Klesiana Omeri, kanë spikatur edhe emra me kontribut në PD përfshi edhe emra që janë tashmë deputetë.

“Sa i përket rezultateve të para, Ilir Alimehmeti ka qenë ndër më të votuarit sa i përket këtij procesi. Nga gratë më e votuara ka qenë deputetja Jorida Tabaku”, tha gazetarja.

Pritet edhe rezultati përfundimtar sa i përket numrit të saktë të kandidaturave fituese nga ky proces.

Pjesë e primareve u bë thuajse i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me përjashtim të 5 deputetëve. Por pavarësisht votës së anëtarësisë, vendimin final se kush do jetë kandidat për deputet do ta vendosë kryesia e kësaj force politike.

Në përzgjedhjen e ekipit nga ana e kryesisë në mbledhjen e 12 Marsit do të merret parasysh edhe puna e secilit kandidat me diasporën, si dhe kontributi në betejën kundër qeverisë.

Nga procesi i primareve u përjashtuan 19 zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, përfshi edhe kryetarin e saj Sali Berisha, të cilët do të jenë kandidatë në pjesën e sigurtë të listës së deputetëve, përfshi edhe 7 aleatët e opozitës që do të garojnë në koalicion me Partinë Demokratike./tvklan.al