Në Samitin e BE-së është biseduar për Poloninë, ndërsa gjatë darkës pjesëmarrësit kanë gjetur kohë të bisedojnë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Koha.net raportimet nga ky zhvillim.
“Nuk mund të flitet vetëm për Poloninë”, reagoi një diplomat i Bashkimit Europian pas ditës së parë të samitit në Bruksel. “Ka çështje shumë më të rëndësishme, ndërsa njëra prej tyre është zhvillimi situatës në Ballkan”, transmeton Koha.net.
Shefat e shteteve dhe të qeverive për situatën në fqinjësi të drejtpërdrejtë jugore janë marrë gjatë darkës. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, e cila sapo është kthyer nga një vizitë në Ballkan, ndër të tjera, citohet të ketë thënë se “Pash rajonin i cili më shumë se asnjëherë është i ngarkuar në të gjitha nivelet me tensione e sfida”
Janë përmendur gjashtë çështje që ngjallin panik për shkak të Ballkanit:
Ballkani mund të bëhet tabelë shahu në të cilën luajnë fuqitë e mëdha. “Shqetësimi është i madh. Qëllimi i Moskës me siguri është të dobësojë lidhjet e rajonit me BE-në dhe ta prezantojë Rusinë si alternativë”, ka thënë Mogherini, e cila ka rikujtuar brohoritjet kundër BE-së në Parlamentin e Serbisë.
Shefat e shteteve dhe të qeverive të BE-së (pa Poloninë) ndaj pohimeve të saj reaguan me “përkrahje të pakufizuar” të perspektivës europiane të gjashtë shteteve ballkanike. Të gjitha shtetet, njëra pas tjetrës, në përputhje me shkallën e zhvillimit, një ditë do të duhej të bëhen anëtare të Bashkimit Europian.
“Ne e mbajmë fjalën”, tha kryesuesi i rizgjedhur i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.
“Ne kemi vendosur që t’i ndihmojmë më shumë për të forcuar perspektivën europiane të atyre vendeve”, tha Tusk.
“E kemi lënë anash Ballkanin”, është ankuar një diplomat i BE-së para samitit dhe i cili e njeh realitetin e rajonit. Për shkak të shumë krizave në BE, problemin me migrimet dhe konfliktet në Ukrainë, vendet e Ballkanit gjatë dy vjetëve të fundit janë parë vetëm si “ruta Ballkanike”, ose “ruta transitore”. Maqedonia vazhdon të jetë në një krizë politike të brendshme. Serbia territorin e Kosovës nuk e pranon për shtet, ndonëse e pranojnë shumica e vendeve të BE, por as Rusia, transmeton Koha.net. Në Mal të Zi parlamenti është bllokuar. Përpjekja për puç në Mal të Zi, prapa të cilit qëndron Moska, dështoi vitin e kaluar. Rusia kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në Bosnjë Republika Srpska kërcënon me shkëputje nga shteti federal.
Kancelari austriak, Christian Kern kërkoi nga kolegët e tij në BE të mos lejojnë që në Ballkan të vazhdojë vakuumi. SHBA po shihet qartë se po tërhiqen, ndërsa Rusia do të mund të shfrytëzonte rastin që të pozicionohet më mirë, ka thënë ai.
Vendeve të Ballkanit u është kërkuar të kultivojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për këtë ka premtuar mbështetje për reformat në të gjitha nivelet. Sivjet Serbia merr 215 milionë euro, Kosova 92 milionë, aq sa edhe Shqipëria, Maqedonia 95 milionë, Mali i Zi 40 milionë dhe Bosnja e Hercegovina 44 milionë si mbështetje para anëtarësimit në BE. Por, presidenti i Komisionit Europian, Jean Cloude Juncker ka përjashtuar mundësinë që ndonjëri nga këto vende të anëtarësohet në BE gjatë mandatit të tij.
© KOHA