Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në intervistë për Alsat ka deklaruar se lidhja e partneritetit publiko-privat për të menaxhuar me mbeturinat në Tetovë ka zgjidhur problemin me papastërtinë nëpër rrugët dhe vendet publike të kësaj komune. Sipas tij, një veprim i tillë ishte i domosdoshëm, ndërsa marrëveshja ka dhënë efektin e saj në njëvjetorin e saj.
“Unë besoj se është zgjidhur. Përfundimisht Tetova është më e pastër, nuk e kemi problemin e mbeturinave si ajo shpata mbi kokë që e kishim nga frika se mund të ngulfatemi nga mbeturinat. Është një çështje që ka të bën me ndërgjegjësimin e qytetarëve për pagesat e faturave. Besoj se është një proces në bazë të ligjit dhe ata qytetarëve që kanë krijuar bindjen se mund të marrin shërbime nga komuna dhe të mos paguajnë faturat, tani ajo kohë ka mbaruar më”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës. /Alsat.mk