Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë disa kritika në drejtim të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Çeku thotë se Abdixhiku ka ndërruar disa herë deklaratat rreth zgjedhjeve, transmeton Telegrafi.
“Është mirë që z. Abdixhiku të na tregojë për cilat fjalë ta mbajmë. Më 12 shkurt shkroi në FB se “LDK nuk i ka fituar zgjedhjet…” dhe se “…ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.” Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e Kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin. Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit?”, shkruan ai.
Tutje, ministri ka thënë “Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht”.
“Ky është standardi i mashtrimit që e kemi parë në të kaluarën”, theksoi ai.
Mes tjerash, ministri shkroi se “Deri tash, të vetmet fjalë që i ka mbajtur janë ato për sa vota janë në kutitë e votimit me postë. Aty e ka ditur ende pa filluar numërimi”./Telegrafi/