“Mbajti peng të dënuarin”, Vetting: Në SPAK “dosja e zezë” e Erjon Shahajt! Abuzimet e kryeprokurorit të Lezhës! U bën presion avokatëve që nuk i binden për aferat korruptive


“VETTING”

Në njërin nga pasazhet e librit “Republika” të shkruar nga Platoni kemi një nga ngjarjet më të veçanta, që i bën apel shoqërisë për drejtësinë dhe njerëzoren. Në libër jepet se Sokrati është dënuar me vdekje padrejtësisht nga juria e qytetit të Athinës dhe miqtë e tij organizohen për ta nxjerrë nga burgu duke u arratisur, por Sokrati nuk pranon.

Sipas Sokratit, edhe pse i ka ndodhur një padrejtësi, ai vet nuk mund të bëjë një padrejtësi, sepse dy veprime të gabuara nuk mund të sjellin kurrë një veprim të drejtë. Sokratit nuk i bëri dëm ligji, por juria! Jo më kot e sollëm këtë histori sepse në vetvete, tezat e Sokratit nuk ngrenë vetëm pyetje, por demonstrojnë parimet e një shoqërie të drejtë dhe se pa ndryshuar parimet, ne nuk mund të ndryshojmë drejtësinë, ne nuk mund të japim drejtësi. Ne mund të ndryshojmë ligjet, gjyqtarët dhe prokurorët, por ne nuk mund të japim dhe marrim drejtësi, nëse ne nuk kemi parime të rrënjosura në familje dhe shoqëri. Drejtësia, ky koncept i mohuar nga manteli i zi që veshin persona të deleguar nga krimi dhe politika po i merr frymën një kombi që është kthyer në komb nomadësh, sa në një shtet në shtetin tjetër, duke braktisur Shqipërinë, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me shkretëtirën, përveç faktit se tashmë po i shterojnë njerëzit. Këta njerëz largohen prej lajmeve të përditshme të kronikës së zezë, prej lidhjeve të krimit me politikën, të cilat kur përballen me njerëz guximtarë dhe të vendosur, të dyja përdorin si kamxhik sistemin e drejtësisë kundra qytetarëve për t’i grabitur, mposhtur e për t’i nënshtruar. Në këtë episod “Vetting” do të trajtojë denoncimin që ka ardhur për kryeprokurorin e Lezhës, Erjon Shehaj, i cili jo vetëm që ka shkelur ligjin në shumë raste sipas Komisionerit Publik, por sipas denoncuesit e ka përjashtuar nga Amnistia Penale, duke e mbajtur në burg përtej afateve. Sipas avokatit Arben Llongozi: “Në rastin konkret kemi sistemin e drejtësisë që është fajtor në mosmarrjen e masave për gjymin e një çështje në kohë. Pra, referuar nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e njeriut. Nenit 32, 42 të Kushtetutës është parashikuar që një gjykim duhet të jetë i menjëhershëm, pra sa më shpejt e parashikon ligji”.

VONESAT PËR PROCESIN E AMNISTISË

Armando Uka, një ish-i burgosur që ka vuajtur dënimin në burgun e Reçit në Shkodër për “Vetting” shprehet: “Unë e quaj veten civil se e kam mbaruar burgun, sepse deri atëherë unë kam qenë i burgosur në IEVP Reç. Në rregull, unë e di gabimin që kam bërë, por një orë e një minutë më vonë, unë e kam mbaru burgun tim, unë jam marrë peng nga kryeprokurori Erjon Shehaj”. Ky është Armando Uka, i cili pretendon se është përjashtuar nga përfitimi i amnistisë penale, rrjedhimisht duke e mbajtur në burg përtej afateve të parashikuara. Sipas Ukës: “Kam njoftuar emisionin tuaj, sepse kam kryer një krim në vitin 2011, jam dënuar me 16 vjet. Dhe para atij e kam pasur një dënim tjetër 3-vjeçar. U ekstradova nga Italia, erdha këtu në Shqipëri në 13 tetor të vitit 2023. Erdha për të kryer 3 vjet e 11 muaj dënim, dënimin e mbetur e kisha kryer. Tani… Me kalimin e kohës doli amnistia tani që erdha këtu. Nga 3 vjet e 11 muaj heqim 6 muaj, sa i takon? Pastaj kisha edhe 855 ditë, si i thonë këtu në Shqipëri ‘3 mujorsha’, të marra me vendim gjyqtarie në Itali, të njoftuara nga Shqipëria. Më takonte që unë më 4 prill kur është dhënë amnistia nëpër burgje që fillonin të dilnin njerëzit, duhet që unë të isha i lirë. Nga ajo ditë unë s’kam dalë, unë kam dalë në 5 shkurt 2025, tani sa kohë i bie që unë kam ndenjur brenda”? Për të kuptuar më shumë rreth çështjes, por edhe për të marrë qëndrimin e të gjitha palëve, “Vetting” ka kryer një hulumtim që nxjerr në pah arsyet me rastin e Armando Ukas. “Vetting” e pyeti denoncuesin për sjelljen e tij brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Itali, por edhe në Shqipëri, e cila ndikon edhe te përfitimet nga masa e uljes së dënimit. Në shumë raste, kur të burgosurit janë problematikë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) ose e thënë ndryshe në burg, ata mund të penalizohen, por ky nuk ka qenë rasti sipas dëshmisë nga vetë Uka. “Sjellja ime në institucionet e Italisë dhe të Shqipërisë ka qenë ekzemplare. Jam sjellë mirë me shoqërinë, me personelin e policisë, me drejtuesit, me drejtorët e burgut. Jam sjellë ashtu siç duhet, jam sjellë normal. Tashti… Problemi është se Kryeprokurori më ka mbajtur peng në burg 11 muaj o shok. Tani më duhet motivi, për çfarë…?”, – shprehet Armando Uka, ish-i burgosur. Kjo është pyetja që e mundon prej gati një viti Ukan, por edhe avokatët e tij Gjergj Neli dhe Shaqe Marinaj, të cilët kanë bërë përpjekje të shumta, duke qenë edhe të shqetësuar për gjendjen e tij fizike dhe shpirtërore kur ishte i burgosur. Për “Vetting”, avokati Gjergj Neli u shpreh: “I dënuari e ka ndjerë shpirtërisht dhe fizikisht. Sa herë që shkoja ta takoja, e ndjenim veten fajtorë për pjesën time si përfaqësues ligjor, sepse i dënuari nuk i percepton, sepse thotë unë kam një avokat dhe ideja e atij është që është avokati që bën përpjekjet dhe më liron”. Sipas denoncuesit dhe avokatëve të tij, dokumentacioni dhe kushtet për të përfituar nga amnistia penale kanë qenë sipas ligjeve në fuqi. “I kemi krejt letrat e dokumentuara që unë kam ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer dënimin prej 3 vitesh e 11 muajsh nga 19 vjet që kisha. Kam bërë 14 vjet atje, llogarite etj.. E kam mbaruar burgun tim. Tani ndoshta atij nuk i ka pëlqyer avokati që kam pasur unë, sepse janë njerëz të drejtë”, – tha Armando Uka. Për “Vetting”, avokati Gjergj Neli ka thënë se vazhdimisht ata prisnin veprime nga Prokuroria e Lezhës, kryesisht nga prokurori Erjon Shehaj, i cili i zvarriste procedurat dhe nuk i bënte në kohë. Të gjendur në këto kushte, avokatët kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Lezhës për t’u njohur përfitimi nga amnistia penale. Në 29 maj 2024, Gjykata e Lezhës pranoi kërkesën për bashkimin e dënimeve të Armando Ukës, duke e dënuar me një vendim të plotë prej 17 vitesh. “Përfundimisht, ne duke parë qëndrimin e Prokurorit, sepse prokurori po i zvarriste procedurat për bashkimet e dënimeve, në cilësinë e avokatëve vumë në lëvizje gjykatën për bashkimin e dënimeve, e cila vendosi bashkimin e dënimeve në një të vetëm. Që do të thotë nuk e llogariti 16 vjet dhe 3 dënime, por në një dënim të vetëm prej 17 vitesh për të dënuarin Armando Uka”, – u shpreh avokati Neli. Por pavarësisht përpjekjeve të avokatëve, përsëri çështja do të ngelte në vendnumëro dhe do të duhej të kryheshin procedurat e certifikatave të njohjes nga shteti italian edhe njëherë, pasi sipas kryeprokurorit të Lezhës, mungonin këto dokumente. Avokati Gjergj Neli tha: “I dënuari përfitonte uljen e dënimit nga 1 vit e gjysmë, ashtu siç e përmbante ligji. Në këtë kontekst, prisnim lëvizje nga prokurori që të përfitonte amnistinë, por nuk ndodhi. Vazhdonim gjyqet dhe prokurori nuk vinte në gjyqe, ne si mbrojtje e pamë që prokuroria po i shmangej”.

Burgu i Shkodrës “nxjerr” jashtë loje Prokurorinë e Lezhës

Një nga gjërat më të rëndësishme në kryerjen e ekstradimit është dokumentimi i procedurës dhe ruajtja e dokumenteve, ku evidentohet njohja e zbritjes së dënimit nga autoritetet e huaja, në këtë rast nga shteti italian. Kjo ka qenë edhe pika e cila ka mbajtur peng të gjithë procesin sipas Prokurorisë së Lezhës, pasi prokurori Erjon Shehaj pretendon se nuk i ka pasur certifikatat. Por ndryshe është qëndrimi i avokatit Gjergj Neli, i cili tregon se kanë bërë ankesë në Prokurorinë e Përgjithshme për prokurorin e Lezhës. “E vetmja përgjigje nga Prokuroria ishte nga zyra e marrëdhënieve me jashtë, që shprehej: I nderuar zoti avokat, pasi kemi kontaktuar me prokurorin e rrethit Erjon Shehaj, na ka thënë që mungojnë dokumentet e zbritjes së dënimit nga autoritetet italiane. Ne u jemi drejtuar autoriteteve italiane, gjoja sipas tij, që të na i sjellin certifikatat për uljen e dënimit që ky i dënuar ka kryer në burgjet e Italisë”, – u shpreh avokati Gjergj Neli. Sipas avokatit Neli: “Duhej që Prokuroria e Përgjithshme të dërgonte një përfaqësues te zyra e avokatisë të personit të dëmtuar, që çfarë problemi kishte ose t’i kishin thirrur te zyra e Prokurorisë për të marrë provat për t’i treguar ekzistencën e këtyre dokumenteve dhe faktit që prokurori Shehaj i zotëronte certifikatat”. Avokati Gjergj Neli shtoi më tej: “Më vonë ne kemi shkuar për të takuar në Prokurori edhe oficerin e Policisë Gjyqësore, i cili ishte i deleguar nga prokurori Erjon Shehaj, oficeri i Policisë Gjyqësore, Artan Uka. Dhe u bind Artan Uka që kur ne ia pamë dosjen e të dënuarit, i pamë të gjitha certifikatat që ishin aty, që kishin ardhur me të gjitha aktet shkresore nga Italia. Nuk e di si e ka prokurori, nuk e di pse nuk e zbaton prokurori, do ta bisedoj me prokurorin”. Pra, sipas dëshmisë nga avokati, Prokuroria e Lezhës i zotëronte dokumentet, por kanë qenë gjëra të tjera që mund të kenë ndikuar te kjo vendimmarrje e munguar. “Unë kërkoj vetëm të vërtetën, pse jam mbajtur unë 11 muaj më shumë në burg nga kryeprokurori i Lezhës. Ai i ka pasur të gjithë letrat e mia. Unë kur kam ardhur nga shteti italian, unë i kam pasur të gjitha letrat me vete. Kam bërë dy njohje dënimi këtu në 2020 dhe në 2022. E ky më thotë s’ke dinamika. Dinamika janë ditët e lirimit të parakohshëm. Si s’kam unë? Unë i kam me vendim gjyqtari në Itali, e t’i kam sjellë këtu. T’i ka sjellë shteti, t’i kam sjellë edhe unë”, – ngriti pyetjen Armando Uka. Nga shkresat e vendosura në dispozicion për “Vetting” rezulton se certifikatat janë marrë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal Reç në Malësinë e Madhe, sipas avokatëve të Armando Ukës. Konkretisht, më 7 gusht 2024, njëri nga avokatët, Shaqe Marinaj ka përcjellë shkresën me të gjitha dokumentet, ku janë të përfshira edhe certifikatat e njohjes së përfitimit të zbritjes së dënimit nga autoritetet italiane, pasi edhe juristi i IEVP-së Reçit pretendonte se mungonte dokumentacioni. Por, sipas avokatit Arben Llangozi, në rastin në fjalë ka përgjegjësi edhe Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal.

LLANGOZI: ËSHTË SHKELUR LIGJI

Duke parë situatën me vonesat nga Prokuroria e Lezhës, konkretisht nga kryeprokurori Erjon Shehaj, avokatët e Armando Ukës i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për njohjen e zbritjes së dënimit sipas amnistisë penale. Por, gjyqtarja Eglantina Biba në 16 tetor 2024 vendosi të shpallë mungesën e juridiksionit për aplikimin e ligjit për amnistinë penale, si dhe ia kaloi aktet për këtë rast Prokurorisë së Lezhës si organ kompetent. Pra, nuk ishte në autoritetin e gjykatës të merrej me këtë çështje, por e Prokurorisë së Lezhës. “Gjatë seancës gjyqësore, prokurori ngrihet dhe thotë se kjo nuk është kompetencë e gjykatës, por e prokurorisë dhe në lidhje me këtë jemi ne, ata që duhet të bëjnë justifikimin e ligjit të amnistisë. Atëherë gjyqtari i seancës shpall moskompetencën, duke ia kaluar prokurorisë kompetencën. Nuk kisha parë e dëgjuar asnjëherë, kjo është antiligjore”, – u shpreh avokati Neli. Por, avokatët do i drejtonin kërkesa të tjera Gjykatës së Lezhës për njohjen e përfitimeve të periudhës së paraburgimit, si dhe uljet e përfituara në Itali, ku më 18 nëntor 2024, gjyqtari Ilir Përdeda do të dilte me një vendim, që do të ngarkonte me përgjegjësi Prokurorinë e Lezhës. Avokati Gjergj Neli u shpreh: “Në lidhje me shtetasin Armando Uka rezulton se autoritetet italiane ia kanë dërguar edhe njëherë certifikatat e uljeve të dënimit dhe rezulton ashtu siç ne kemi pretenduar, që ka përfituar 855 ditë ulje dënimi, që prokurori i çështjes Erjon Shehaj kundërshtonte, duke i privuar lirinë në kundërshtim me të gjitha ligjet në mënyrë antinjerëzore”. Në parashtrimin e vendimit të gjykatës, shkruhet se Armando Uka pretendon që Prokuroria Lezhë me rastin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nuk ka përllogaritur masën e dënimit të vuajtur prej tij në Itali për llogari të dy vendimeve të mësipërme të njohura prej kësaj gjykate dhe nëpërmjet kërkesës, kërkon të detyrohet prokuroria të kryejë një përllogaritje të tillë. Në vendimin e saj përfundimtar, më 18 nëntor 2024, Gjykata e Lezhës vendosi: “Gjykata vlerëson se sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit të administruar si provë në gjykim, kërkuesit nuk i është përllogaritur dënimi i vuajtur prej tij në Itali dhe në pjesën e dënimit të vuajtur data e fillimit të ekzekutimit nuk është marrë ajo e përcaktuar nga Prokuroria në urdhëron e ekzekutimit. Po ashtu, Prokuroria në urdhrin e ekzekutimit nuk ka përcaktuar periudhën e dënimit të vuajtur prej kërkuesit deri më datën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit dhe atë të mbetur pa vuajtur, duke mos u përllogaritur dënimi i vuajtur prej kërkuesit në Itali”. Në rastin konkret, gjykatësi Përdeda vlerëson se prokuroria në rastin e lëshimit të urdhrit te ekzekutimit të vendimit penal nr.51/2024 nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, sepse nuk ka përcaktuar dhe përllogaritur periudhën e paraburgimit apo të dënimit me burgim të vuajtur nga kërkuesi në Itali dhe pjesën e mbetur pa vuajtur. Për rrjedhojë, gjykata vlerëson se kjo e metë e ekzekutimit duhet rregulluar duke e urdhëruar prokurorinë të përllogarisë edhe dënimin e vuajtur nga kërkuesi në Itali. Pra, sipas këtij vendimi, prokurori Erjon Shehaj nuk ka kryer llogaritë e nevojshme dhe në mbyllje gjykata ka urdhëruar Prokurorinë e Lezhës të kryeje llogaritë për të ekzekutuar vendimin nr.51 datë 29.05.2024 duke përllogaritur dhe kohën e dënimit në Itali, ku përfshihen edhe zbritjet e dënimit. “Imagjinoje se çfarë pasojash i ka sjellë ky prokuror me veprimet dhe mosveprimet e tij”, – tha avokati Neli. Por, avokatët do të bënin një tjetër kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, ku i kërkonin ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit nr.51 datë 29.05.2024, lirimin e menjëhershëm të Armando Ukës, ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të datës 18 nëntor 2024 të Gjykatës Lezhë dhe ekzekutimin e vendimit për përfitim nga amnistia penale sipas ligjit 33/2024. Edhe në këtë rast, më 27 dhjetor 2024, Gjykata e Lezhës do të rrëzonte kërkesën e Armando Ukës, duke e shpallur të papranueshme, duke marrë parasysh edhe qëndrimin e prokurorit Erjon Shehaj.

AVOKATI I POPULLIT SKANON PROKURORIN

Më 20 shkurt 2025, në lidhje me rastin e Armando Ukas, Avokati i Popullit ka deklaruar se është administruar pretendimi për vonesat në procedurat për ekzekutimin e vendimit penal për bashkimin e dy vendimeve, i cili ka marrë formë të prerë më 28 qershor 2024.

Nga kërkesat e Avokatit të Popullit rezulton se Prokuroria e Lezhës për këtë rast ka deklaruar se organi i prokurorisë nuk e ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për vendimin penal të datës 29.05.2024 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë ndaj shtetasit Armando Uka, pasi nuk kemi përgjigje për dinamikën e vuajtjes së dënimit nga autoritetet italiane. Avokati i Popullit deklaron se duke marrë shkas nga ky fakt i bërë prezent prokurorisë, i është drejtuar me shkresë në 13 dhjetor 2024 Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku i kërkonin informacion lidhur me këtë rast.

“Dosja e zezë” e prokurorit Erjon Shehaj, në dorën e kryeprokurorit të SPAK

Duke parë vonesat dhe problemet për lirimin nga burgu të Armando Ukës, avokati Gjergj Neli ka kryer denoncim në SPAK për kryeprokurorin Erjon Shehaj, tek Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe te Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe ka bërë ankesë te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Prej 1 janarit 2025, Prokuroria e Posaçme ka marrë edhe kompetencat e Komisionerit Publik, i cili në vendimin e fundit në vitin 2022 nëpërmjet ish-Komisionerit Florian Ballhysa ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kalimin e procesit të “Vettingut” nga kryeprokurori i Lezhës Erjon Shehaj. Në letrën e drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, Altin Dumani, avokati Gjergj Neli ka denoncuar moskryerjen e qëllimshme të veprimeve për lirimin e Armando Ukës nëpërmjet përfitimeve nga amnistia penale, konkretisht ligji 33/2024. Sipas avokatit, njohja e përfitimeve të uljeve të dënimit të përfituara në Itali është bërë nga Gjykata e Lezhës më 18 nëntor 2024. Por, përveç problemit me të përfaqësuarin Armando Uka, avokati ka denoncuar prokurorin Erjon Shehaj edhe për një rast që ka ndodhur në vitin 2020. Më 27 tetor 2020, Gjergj Neli është marrë forcërisht nga Policia e Lezhës, e cila e ka arrestuar avokatin, ku sipas këtij të fundit, ka qenë porosi e prokurorit Erjon Shehaj. Sipas avokatit Neli, në letrën e drejtuar SPAK-ut akuzohet kryeprokurori i Lezhës se presioni ka ardhur pasi ky nuk i bindej për afera korruptive. Çështja ndaj avokatit është pushuar nga gjykata në 24 maj 2021 dhe më pas Erjon Shehaj ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Shkodrës, e cila ka lënë në fuqi përsëri vendimin e Gjykatës Lezhë duke rrëzuar ankimin e prokurorit. Por kjo nuk është hera e parë që kryeprokurori Erjon Shehaj ka pasur përplasje me avokatët përsa i përket procesit të hetimeve.

SHEHAJ PËRPLASET ME AVOKATIN

Në informacionet e siguruara nga emisioni “Vetting” rezulton se Erjon Shehaj ka pasur një përplasje edhe me avokatin Ded Guri. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2015 në Prokurorinë e Lezhës, ku është administruar një zarf, brenda të cilit kanë qenë dy letra kërcënuese për ish-drejtuesit e Prokurorisë Lezhë, Përparim Vukaj dhe Erjon Shehaj. Por kjo çështje është marrë nën hetim nga ky i fundit, megjithëse vetë trajtimi i çështjes nga Shehaj ka konflikt interesi, fakt që mbështetet edhe nga Komisioneri Ballhysa. Kjo çështje do të apelohej në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe në të do të nxirreshin konkluzione që rrëzonin masat e marra nga prokurori Erjon Shehaj përsa u përket hetimeve. Në vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër më 20 maj 2015 do të shfuqizohej vendimi i Gjykatës Lezhë, pasi arrestimi i avokatit Ded Guri dhe masa e sigurisë ishin të pavlefshme, sepse ligji e ndalon që prokurori të hetojë një çështje ku është i përfshirë vetë dhe nuk kishte prova që implikonin avokatin. Në vendim theksohet se letra kërcënuese i është drejtuar prokurorit Erjon Shehaj dhe për këtë arsye ai nuk duhet ta kishte pranuar këtë çështje. Por avokati Ded Guri nuk do ta linte me kaq këtë çështje, ku rezultoi të mos ishte i përfshirë në asnjë veprim të antiligjor, duke fituar pafajësinë. Menjëherë vendimit, avokati Ded Guri do të bënte padi, ku akuzonte drejtuesin aktual të Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj për shpërdorim detyre, çështje e cila pas dinamikave të shumta, përfundoi në ngarkim të Gjykatës së Kurbinit. Prokuroria në këtë rast do të kërkonte pushimin e çështjes, ndërkohë që interesant është edhe arsyetimi i vendimit të gjykatës. Sipas argumenteve në vendimin e Gjykatës së Kurbinit në dhjetor 2021, kjo gjykatë do të vlerësonte se nga ana e prokurorit Shehaj potencialisht në veprimet dhe mosveprimet e këtij të fundit mund të ketë vepër penale. Në këtë rast sipas nenit 313 të Kodit Penal mund të kërkohet dënimi me gjobë ose deri në 5 vite burg. Në vendimin e arsyetuar nga gjykata theksohet se rasti për ndjekjen penale të Erjon Shehajt është parashkruar, pasi kanë kaluar më shumë se 5 vite nga momenti që është urdhëruar arrestimi i kundraligjshëm i avokatit Ded Guri. Pavarësisht argumenteve që ka paraqitur drejtuesi i Prokurorisë Shehaj, sipas Komisionerit Publik në këtë çështje janë konstatuar rrethana, të cilat sipas ligjit në fuqi, e detyrojnë prokurorin të heqë dorë nga hetimi i çështjes, kur ka interesa që lidhen me këtë të fundit. Në vendimin e konfirmimit nga procesi i Vetingut të Erjon Shehajt, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka kaluar këtë dosje për shqyrtim tek Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

KOMISIONERI PUBLIK: SHEHAJ KA PROBLEME ME PROFESIONALIZMIN

Sipas ish-Komisionerit Publik, Florian Ballhysa, në rastin e prokurorit Erjon Shehaj nga aktet e administruara paraqiten gjetje dhe rrethana ligjore e faktike që nuk plotësojnë kriteret dhe standardet e etikës, të cilat garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut. Në ankim evidentohet fakti se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar gjetje në të gjitha burimet e vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, si në raportin e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por edhe denoncimet nga publiku. Emisioni “Vetting” i kërkoi informacione rreth dosjes së kryeprokurorit Shehaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cili në kthimpërgjigje deklaroi se nuk mund të na e vendoste në dispozicion informacionin, pasi çështja e Erjon Shehajt është në proces gjyqësor. Për të kuptuar më shumë rreth çështjes së Armando Ukës, “Vetting” i drejtoi edhe një kërkesë për koment Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga institucionet, që lidhet tashmë me një çështje që ka përfunduar nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Ashtu siç pohohet edhe në dialogun e Sokratit për dënimin e tij të padrejtë, Sokratit nuk i bëri dëm ligji, por juria, e cila na sjell te pyetja e vjetër: Kush do t’i ruajë vetë rojet?/Gazeta Panorama 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme