Është vënë në pranga 33-vjeçari Valentin Kovaçi, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë dhe ngacmim seksual.
Sipas policisë së Lezhës, Kovaçi u gjet i fshehur në një shpellë ku qëndronte me shpresën për t’i shpëtuar arrestimit.
Ai ishte shpallur në kërkim pas një kallëzimi të bërë nga një 30-vjeçare, e cila denoncoi se i kishte vjedhur me dhunë çantën e dorës, me sende personale, dhe kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë.
Gjatë kontrollit në vendin ku ai fshihej, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një portofol dhe dy telefona celularë të dyshuar të vjedhur.
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Cave”
Lokalizohet, kapet dhe ndalohet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë dhe ngacmim seksual.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë në vijin të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar në inteligjencën policore organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cave”.
Në kuadër të operacionit, në zonën e Kalasë së Lezhës, në një guvë (shpellë), në të cilën fshihej për t’ju shmangur Policisë , u kap dhe u vu në pranga shtetasi V. K., 33 vjeç, banues në Lezhë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më datë 7 mars 2025, një shtetase 30 vjeçare banuese në Lezhë, kallëzoi se ky shtetas i kishte vjedhur me dhunë çantën e dorës , me sende personale dhe kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Gjatë kontrollit në vendin ku fshihej ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një portofol dhe dy telefona celularë të dyshuar të vjedhur.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.