Presidenti bullgar Rumen Radev sot u shprehu ngushëllime familjarëve të të vdekurve në zjarrin në Koçan dhe u nënshkrua në librin e ngushëllimeve në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sofje.
Radevi deklaroi se Bullgaria është e gatshme të pranojë në mjekim më shumë të lënduar dhe se pritet që autoritetet e Maqedonisë së Veriut të tregojnë nëse ka nevojë që të marrin edhe dhjetë persona.
Në spitalet bullgare për momentin janë hospitalizuar 14 të lënduar, të cilët ishin dërguar me aeroplan ushtarak – transportues “Spartan” dhe me automjete ambulante të Ndihmës Urgjente Mjekësore të Sofjes.
“Në gatishmëri janë edhe aeroplanët ‘Spartan’ dhe ekipet, kështu që ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë. Bullgaria është e gatshme dhe do të vazhdojë të ndihmojë në çdo gjë që nevojitet. Më e rëndësishmja është se kjo tragjedi tregon se njerëzit në të dy anët e kufirit mund të mbështeten tek njëri-tjetri, por jo vetëm në ditët e sprovave si sot, por për hir të së ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, tha kreu i shtetit bullgar.
Ai i falënderoi ekipet mjekësore bullgare dhe personelin ushtarak për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin në transportin e të lënduarve dhe për ndihmën e dhënë të specializuar mjekësore.
Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut Agneza Rusi Popovska, e cila e priti presidentin Radev në ambasadë, deklaroi se sot në Sofje pritet të mbërrijnë ministrat e Shëndetësisë dhe të Punëve të Jashtme, Arben Taravari dhe Timço Mucunski që t’i vizitojnë qytetarët e lënduar maqedonas të hospitalizuar në spitalet bullgare.
Në Bullgari sot është shpallur ditë zie për nder të viktimave në Koçan dhe solidaritetin me popullin në Maqedoninë e Veriut.
Kryqi i Kuq bullgar, Spitali Kombëtar për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse “N.I. Pirogov” dhe Qendra Kombëtare për Hematologji Transfuzioni organizojnë aksion për dhurimin e gjakut për të lënduarit në zjarr. Siç transmetojnë mediat bullgare, vetëm në dy orët e para mbi 120 njerëz në Sofje kanë dhuruar gjak për të pësuarit në tragjedinë në Koçan.
Deri në fund të javës në parkingun e spitalit “Pirogov” do të ketë tendë në Kryqin e Kuq bullgar ku personat medicinalë dhe vullnetarë do t’i pranojnë ata të cilët duan të dhurojnë gjak për të lënduarit. Familjarët e të pësuarve munden edhe të marrin mbështetje psikosociale, si dhe ndihmë tjetër.