Të paktën 404 persona kanë humbur jetën dhe 562 të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli nisi në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm duke shkelur armëpushimin, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se në spitale janë dorëzuar trupat e 404 personave që humbën jetën dhe 562 të plagosur në sulmet dhe masakrat e kryera nga ushtria izraelite kundër Rripit të Gazës që nga orët e mëngjesit.
Po ashtu në deklaratë theksohet se ende shumë njerëz ka nën rrënoja dhe se ekipet po vazhdojnë përpjekjet e tyre të kërkim-shpëtimit.
– Në sulmet izraelite humbën jetën 4 zyrtarë qeveritarë
Zyra e Qeverisë për Media në Gaza njoftoi se në sulmet ajrore të Izraelit u vranë edhe katër zyrtarë qeveritarë.
Zyrtarët në fjalë janë shefi i Njësisë për Monitorimin e Punimeve Qeveritare, Essam al-Dalis, nënsekretari i Ministrisë së Drejtësisë Ahmad al-Khatta, nënsekretari i Ministrisë së Brendshme Mahmoud Abu Watfa dhe drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Sigurisë së Brendshme Bahjat Abu Sultan.
Pas armëpushimit që u arrit më 19 janar, ushtria izraelite nisi sërish sulme të ashpra në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm. Thuhet se ushtria izraelite ka bombarduar intensivisht Rripin e Gazës, përfshirë tendat e palestinezëve të zhvendosur, shkollat ku ata janë strehuar dhe shtëpitë e civilëve.
Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet janë nisur me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz.