Tak Fak/ Situata skandaloze në vendgrumbullimin e mbetjeve në qytetin e Vlorës vazhdon të përkeqësohet, duke krijuar kushte të papërballueshme për banorët. Të jetosh mes plehrave dhe derrave në katër stinët e vitit është bërë një rutinë e hidhur për ata që banojnë pranë fushës së mbetjeve, ndërkohë që në këtë zonë ka shpesh zjarre, duke kërcënuar jetën dhe pasurinë e qytetarëve.
Një zjarr i madh shpërtheu sërish në fushën e mbetjeve, duke rrezikuar banesat që ndodhen pranë. Zjarrfikësit janë angazhuar në terren për të vënë nën kontroll flakët, ndërkohë që situata ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dha një premtim për zgjidhjen e këtij problemi të vazhdueshëm:
“Brenda 12 ditësh, këtu nuk do të hidhen më mbetje. Ne do të sigurojmë një plan të ri menaxhimi dhe do të marrim masa për të zgjidhur këtë situatë që ka zgjatur për dekada,” tha ai.
Ky premtim vjen në një moment kritik, ku banorët po përballen me pasojat e vazhdueshme të ndotjes dhe rrezikut nga zjarret.