Kosova bëri një hap të madh në inovacionin digjital, lansohet pilotimi i shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës

Sot u bë lansimi i pilotimit të shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës, me të cilën u tha se Kosova bëri hap të madh në inovacionin digjital.

I pranishëm ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në njoftim thuhet se kjo nismë e Qeverisë së Kosovës u mundësua përmes projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane dhe zbatohet nga GIZ.

Kryeministri Kurti tha se sot po hapet një kapitull të ri në mënyrën se si shteti ofron shërbime publike më të afërta me qytetarin, më të koordinuara, më të thjeshta dhe digjitale.

“Me zgjidhjen që po pilotojmë sot, prindërit nuk kanë më nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme. Të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës, për benefitet që u takojnë, për sistemin shëndetësor e për vaksinimin, mblidhen që në spital, në momentin e lindjes, dhe shpërndahen automatikisht te institucionet përkatëse”, u shpreh kryeministri.

Shërbimet që përfshihen në këtë zgjidhje janë: regjistrimi i lindjes në regjistrin civil, aplikimi për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimi në sistemin shëndetësor, regjistrimi i vaksinave, hapja e llogarive në eKosova për prindërit dhe njoftimi elektronik i institucioneve statistikore dhe shëndetësore. Në kuadër të kësaj nisme, në platformën eKosova është krijuar edhe një seksion i veçantë për lindjen e fëmijës, ku qytetarët mund të informohen dhe të planifikojnë faza të ndryshme të kësaj periudhe – nga para-shtatzënia deri te kujdesi pas lindjes.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se digjitalizimi i shëndetësisë mbetet një nga prioritetet kyçe transformimit publik në vend.

Krahas pilotimit të shërbimeve që u prezantuan sot, ai tha një arritje e veçantë është edhe digjitalizimi i fletores së fëmijës e cila do të lansohet së shpejti në platformën e-Kosova.

Ndërkaq, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se sot Kosova ka bërë një hap të madh përpara me lansimin e shërbimit të saj të parë proaktiv të ngjarjeve të jetës, duke filluar me regjistrimin e lindjes së fëmijëve.

“Kjo do të thotë se proceset si regjistrimi i të porsalindurve, qasja në përfitimet e lehonisë dhe caktimi i vaksinimeve do të jenë tani më të thjeshta dhe më të shpejta. BE-ja është krenare të mbështesë Kosovën në këtë udhëtim digjital, duke ndihmuar në lehtësimin e jetës së përditshme duke hapur mundësi të reja për rritje”, u shpreh më tej ambasadori Orav.

Në mesin e folësve kyç në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rohde. Ai u shpreh i nderuar që është i pranishëm për të shënuar këtë arritje të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt përmirësimit dhe digjitalizimit administratës publike.

“Reduktimi i burokracisë është një shtyllë kyçe e qeverisjes së mirë. Shumë shpesh, qytetarët përballen me pengesa të panevojshme që e komplikojnë qasjen në shërbime esenciale. Jam veçanërisht i kënaqur që Gjermania, në partneritet me BE-në ka mbështetur arritjet që po festojmë sot dhe digjitalizimin e reduktimin e barrës administrative në Kosovë në përgjithësi, përmes një projekti të zbatuar nga GIZ”, tha ambasadori Rohde. /Telegrafi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme