Skandali me “Rindërtimin” në Thumanë/ Mori tenderin kur ishte nën sekuestro, si kompania fituese ‘PE VLA KU’ eliminoi 17 oferta të tjera! Ja kush fshihet pas saj

“VETTING”/ Rindërtimi në Thumanë ka kaluar në një proces shkeljesh të së drejtave themelore për familjet që kanë pasur prona me certifikata pronësie. Nëse tërmeti i dëmtoi pjesërisht shtëpitë e tyre, shteti u shembi dhe u premtoi t’ua ndërtonte nga e para. Banesat të cilët ishin të dëmtuara pjesërisht, shteti i shembi për të ndërtuar Thumanën dhe strehuar banorët që kishin humbur banesat.


  

Emisioni “Vetting” kontaktoi me disa banorë që shtëpitë e tyre ishin të dëmtuara dhe sipas komisionit të rivlerësimit ata duheshin të riparoheshin, por që shteti ia shembi, duke iu garantuar se do t`iu jepte banesa të reja. Banorët e Thumanës denoncojnë për emisionin “Vetting” padrejtësinë që u është bërë: “Çfarë borxhi jua kemi ku i kemi mundësitë ekonomike neve për t’u përplasur nëpër gjykata, kjo është një e drejtë që po na mohohet ta gjejnë ku të duan pronën që kam pasur” sqaron Vera Fifo. Teksa më tej një tjetër banor shprehet se: “Na i premtuan që do na jepnin sipas nenit 17 germa c, nuk na i kanë dhënë, vetëm mashtrime.” Si Vera Fifo dhe Sali Gasa janë dhe shumë familje të tjera që kanë përjetuar tragjedinë e tërmetit dhe lënë në një situatë të pasigurt dhe të padrejtë 5 vite më vonë. Pas dëmtimit të banesave të shkallës DS3, pra për rikonstruksion, pallati i tyre sërish u shemb për të rindërtuar Thumanën sot. Vera Fifo shprehet se: “Ndërtesat tona kanë qenë e dëmtuar DS3, na i kanë shembur për rindërtimin jo se ishte e dëmtuar nga tërmeti. Na i shemben për të na i ridhënë, nuk na i kanë dhënë kemi gjithë këto vite që po vuajmë. Ky është dëm ekonomik që ne po e vuajmë prej 5 vitesh”.

Janë ankuar në bashki, por i kanë kthyer përgjigje se në bazë të aktit normativ janë pajisur, por faktikisht banesa e tyre nuk u dëmtua nga tërmeti, por nga vetë shteti. Problem qëndron se për pronën e tyre kanë rezultuar dy akt konstatime, një që i dhanë banorëve dhe një që mbahej në dosjet e njësisë administrative Thumanë. Ajo që “fshihej” në dokumente e nxirrte pallatin të dëmtuar të shkallës DS5.

Enver Shpati jurist shprehet për “Vetting” se: “Këshilli bashkiak ka marrë vendim që për mua s’bën sens që një këshill bashkiak të marrë një vendim, ta prish banesën ta rindërtojë nga një 2 katesh në 5 katesh dhe mos u japi banorëve. Familjet nuk kërkojnë më shumë nga çfarë ata kishin.” Në tokën ku ka qenë shtëpia e tyre është ngritur një 5 katesh nga 2 kate që ishte pallati i tyre, por këtyre banorëve nuk iu dha banesë aty ku ishin, por nga 3 banesa që ata zotëronin para tërmetit me certifikata pronësi u është dhënë vetëm 1 duke iu mohuar për pasojë e drejta e pronës.

Banorja Vera Fifo sqaron se: “Tani ndërtesën e djalit me certifikata pronësie nuk na i ka dhënë ambientin e punës, nuk na i kanë dhënë ka qene ambient pune kemi paguar taksa me licencë.”

Qytetarët e Thumanës që kanë kontribuar për zhvillimin e komunitetit kanë respektuar ligjet, por tashmë përballen me një realitet ku po vuajnë. Shteti ndërmori shembjen e këtyre shtëpive, me premtimin për ndihmë dhe strehim më të mirë. Por, për shumë qytetarë, si Vera Fifo, kjo ndihmë ka qenë e papërmbushur, duke i lënë ata në një gjendje akoma më të vështirë se para katastrofës.

Ky është një shembull i qartë se si shumë qytetarë, pavarësisht se janë të mbështetur nga ligji dhe kanë pasur të drejta pronësie, janë të detyruar të përballen me një sistem që jo vetëm nuk i mbron, por edhe i trajton me padrejtësi në momentet kur kanë më shumë nevojë.

Më tej, Vera Fifo shprehet se: “Kemi kontribuar për këtë vend këtu ishte dy-katëshe e kanë tjetërsuar e kanë bërë 4 kate, u bë na kanë tjetërsuar vendin nuk marrin parasysh metrat që kishim. Jemi një familje që nuk përfitojmë në kurriz të të tjerëve “

Vera Fifo shprehet e shqetësuar se shteti i ka kthyer në pikën zero: “Jemi tek Gjykata Administrative, ka një vit pa përgjigje, zvarritje, zvarritje. Kujt ia kërkojmë, ku të vemi nuk duan as njerëz që janë në punë të vetë kë do ky shtet të marrim akte ekstreme. Kërkoj metrat siç i kam pasur, kërkoj ambientin e punës siç e kam pasur, asnjë gjë më tepër nuk dua i kam arritur të gjitha nuk kam parë rinin time i kemi vënë krahët shtëpisë që fëmijët tanë mos ta fillonin nga zero dhe ne sot e kësaj dite shikoni vajtëm në këtë pikë.”

KALVARI I TË PËRNDJEKURIT POLITIK

Për 90-vjeçarin Sali Gasa, historia është më shumë se një varg fatkeqësish dhe tragjedish. Dita e tërmetit solli edhe më shumë rrethana të dhimbshme, gruaja e tij, pasi mori vesh se në familjen e saj për shkak të tërmetit kishin humbur jetën nipi bashkë me të atin, humbi kujtesën, këto ishin një goditje shumë e madhe për bashkëshorten Drita Gasa. Shteti merr çdo gjë që i përket, ky 90-vjeçar vazhdon të kërkojë nëpër gjykata dhe zyra, ndërkohë që sfidat dhe problemet rriten çdo ditë e më shumë. Sali Gasa thekson se këto para janë lekët e burgut. 90-vjeçari ka vuajtur në kohën e komunizmit dhe po ndëshkohet edhe sot në kohën e demokracisë. Me paratë e burgut politik arriti të blejë banesat në Thumanë, 4 hyrje të gjitha me certifikatë pronësie u prishën për të rindërtuar Thumanën.

Por fëmijët e të moshuarit mbetën pa banesa, sepse shteti nuk ua siguroi pronën të dhënë me kushtetuese. Më tej i moshuari Sali Gasa sqaron se: “Te pallati nr.42 kam pas 3 hyrje në emër të fëmijëve dhe djalit. Në pallatin 35, ka qenë një hyrje, 4 shtëpi kemi përfituar për 11 frymë dhe 5 kryefamiljarë. Shtëpitë i kemi blerë vetë të gjitha të regjistruar në hipoteke në emër të fëmijëve.” I moshuari ka kaluar një jetë plot vuajtje dhe sakrifica, ende nuk ka mundur të gëzojë pronën e tij. Ai tregon me zemërim se: “Pavarësisht se ato shtëpi i ka blerë vetë, shteti ende nuk ia ka dhënë atij siç i takon”. Sali Gasa shprehet i pikëlluar se: “Janë shtëpitë tona i kemi blere vetë, nuk na i ka dhënë shteti, jemi të përndjekur politik, shteti duhet të na i kishte dhënë falas, jo me na i marrë. Jam liruar në vitin ‘90 nga burgu politik, kam bërë 18 vite e 6 muaj në burg, jam liruar me urdhër të Ramiz Alisë”. 90 vjeçari shprehet me një ton të theksuar pikëllimi dhe shqetësim.

Sipas të moshuarit është shkelur neni 17, ai sqaron se: “Na kanë kthyer përgjigje do merren shtëpitë në bazë këtij neni këtij akti mashtrime. Kërkesa ime është ballafaqim, nëse unë dal fajtor, të jap edhe këtë hyrje që kam këtu.”

Hije skandali mbi tenderat

Më 4 gusht të vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ndërtimin e këtij pallati, por edhe të tjerë. Objekti i këtij tenderi është “Minikonkursi Nr.25 (Kontratë në bazë të Marrëveshjes Kuadër me REF-67609-08-03-2020)- ”Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për zonën e re për zhvillim Krujë, Paketa A, Objektet A+J, B, C, D+G, E, F+H, I, njësia administrative Krujë, Bashkia Krujë. (Programi i Rindërtimit). Për këtë tender është hapur gara për projektimin dhe kompaninë që do të merrej me këtë shërbim. “Minikonkursi Nr.19- (Kontratë në bazë të Marrëveshjes Kuadër me REF-66894-07-27-2020) “Shërbime projektimi për projektin teknik dhe marrjen e lejes së ndërtimit për ndërtesat njësi banimi (pallat) në përputhje me PDYV-ne e zonës Thumanë”, Bashkia Krujë. (Programi i Rindërtimit)”. Në garë morën pjesë 22 bashkime subjektesh, fituese rezultoi EraldG” sh.p.k dhe Transport Highway Consulting” sh.p.k. Ndërsa kompania supervizore rezultoi fituese Archi-Space shpk, me ortakët themelues të shoqërisë Luçjano Bojaxhiu me 50% të kapitalit dhe Rais Petrela me 50% të kapitalit. Më 2 shtator 2016, me anë të kontratës së shitjes së pjesëmarrjes së kapitalit, Luçjano Bojaxhiu shet 50% të kuotave të kapitalit në favor të Z. Rais Petrela, kundrejt çmimit 50 lekë. Kontrata është nënshkruar në bazë të marrëveshjes kuadër, plotë 6.5 miliardë lekë. Paratë u fituan nga kompania “Pe Vla Ku” shpk, e cila do të merrej me ndërtimin e pallatit ku do të strehoheshin banorët e prekur nga tërmeti. Por edhe familjeve që u ishte shembur banesa për shkak të rindërtimit, por jo prej lëkundjeve të tërmetit, do të strehoheshin në këto godina.

Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie thekson se: “Qeveria duhet të strehojë qytetarët, e ka detyrim ligjor nga një akt të tillë”. Miliarda lekë përfitoi kompania, por sipas analizës së tenderit të dhëna tronditëse dolën në skenë. Kompania “PE VLA KU” shpk, pas një verifikimi të kryer në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton e bllokuar nga përmbarimi. Konkretisht në datë 18.12.2017, me anë të urdhrit Nr. 1303 Prot “Për Vendosjen e sekuestros konservative”, lëshuar nga përmbaruesi gjyqësor Altin Vako, u urdhërua vendosja e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet që zotëron debitori subjekti “PE-VLA–KU” shpk. Ky urdhër ka qenë në fuqi deri më 23 tetor 2020, kur u urdhërua lirimi nga sekuestro konservative i të gjitha aksioneve të zotëruara nga debitori shoqëria “PE-VLA-KU”.

Edhe pse sekuestro është hequr në tetor të vitit 2020 në kohën kur është dhënë tenderi për ndërtimin e pallatit në Thumanë, Kompania ka qenë në sekuestro. Dhe urdhri ka qenë në fuqi në momentin e vlerësimit të ofertës dhe në momentin e shpalljes së tenderit nuk ishte hequr ende sekuestro konservative.

PËRZGJEDHJA ME RISK

Kjo situatë krijon risk dhe nuk jep besueshmëri dhe garancinë e duhur Fondit Shqiptar të Zhvillimit se ky subjekt do të realizonte e përfundonte punimet e kontratës. Rrjedhimisht Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk mund dhe nuk ka asnjë arsye ligjore për ta marrë vetë përsipër riskun duke ia besuar punët e kontratës një shoqërie që pasuritë e veta ia ka nën sekuestro e që në çdo kohë mund t’i dalë në ankand. Sakaq Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk duhet ta kishte kualifikuar në këto kushte, ndërkohë që ka ftuar edhe jo pak, por me shumë se 17 subjekte të tjera në garë. Me qëllim që të garantohej shpallja e shpejt e një fituesi që plotëson kriteret për kualifikim me aftësi dhe kapacitete e duhura si dhe me besueshmërinë për të realizuar me sukses punimet objekt i kontratës. Në bazë të ligjit të prokurimeve neni 46/1, i cili i jep mundësinë Autoriteti Kontraktor që në fazën e vlerësimit të ofertave të bëj përzgjedhjen si fitues operatorin që ka: “Kualifikimet e nevojshme teknike profesionale kapacitete organizative makineritë, pajisjet, asetet e tjera fizike aftësinë organizative, besueshmërinë, përvojën e duhur si dhe personelin e nevojshëm për të zbatuar kontratën siç është përshkruar nga autoriteti kontraktor në njoftimin e objektit të kontratës”.

Konform këtij ligji operatori “PE-Vla-KU” duhej të s’kualifikohej sepse nuk ofronte besueshmërinë e duhur sipas nenit 46. Por drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk pyeti për këtë ligj duke marr riskun e mos zbatimit apo shtyrjes së afateve në dëm të popullit dhe konkretisht këtyre familjeve të dëmtuara nga tërmeti dhe shteti.

Por si u reflektua realisht në punime ky problem i kompanisë dhe lëshimi i qindra miliona lekëve që i bëri FSHZH kompanisë në kurriz të qytetarëve? Paketa A që përfshinte disa njësi banimi kanë filluar në janar 2021 dhe duhet të përfundonin në qershor të vitit 2021 me mbi 8 njësi kolektive dhe përafërsisht 160 apartamente.

Gazetarët e emisionit “Vetting” zbuluan se kjo kompani për shkak të problemeve me sekuestron, por jo vetëm nuk i ka mbaruar pallatet e kontraktuara në kohë. Por edhe jashtë afateve sipërfaqja e projektuar për të ndërtuar ishte një kantier ndërtimi me vinça, mjete të rënda teksa në pallatet e ndërtuar karabinaja nuk ishin vendosur pllakat, dritare, dyer madje nuk ishin kryer as suvatimet dhe termoizolimi. Këto kishin mbetur pa përfunduar në fillim të gushtit 2021 ku shtatori përsëri do ta gjente në kantier këtë vend.

Kush mbajti përgjegjësi për tejkalimin e afateve? Kush mbajti përgjegjësi për parat e shpërdoruara që këta banorë të vazhdonin të paguheshin me bono qiraje, sepse firma që kishte fituar padrejtësisht tenderin kishte zvarritur punimet? Kush mbajti përgjegjësi për ato familje që jetuan në banesa me qira dhe e paguan nga xhepi se ju ndërpre bonusi? Një zinxhir i gjatë ku çdo hallkë pasohej me dëm. Për ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa problemi nis në procedurat e tenderave në përgjithësi: “Tenderat janë dhënë me vlertë gati 100 %, në këto kushte procesi nuk ka integritetin e duhur”.

******

Kush fshihet pas kompanisë ‘PE VLA KU’, zbulohen shkeljet me tenderat në Kosovë

Kjo kompani ka si aksioner Vladimir Pjetërgjokaj me 53% të aksioneve dhe Kujtim Arifaj me 47% të aksioneve. Kjo kompani ka një shifër të lartë tenderash, të cilën e ka përfituar nga buxheti i shtetit.

Deri më tani numërohen 18 gara të finalizuara në 7 institucione tenderues që kapin vlera mbi 6 miliard lekë pa TVSH. E themeluar në 4 tetor 2005 kompania ka një grafik ku bie në sy xhiro mjaft e lartë, ndërsa fitimet dalin në disa raste edhe me minus për vite me radhë sipas të dhënave nga “Opencorporates.al”. Kompania “PE VLA KU” ka probleme me dokumentacionin. Në investigimin që gazetarët e emisionit “Vetting” kanë kryer kanë vërejtur në dokumentin ligjorteknik se kompania “PE VLA KU” shpk ka mospërputhje të drejtuesit ligjor sipas QKR-së me drejtuesin ligjor të licencës në kundërshtim me përcaktimet, pika 2 kreu 1 VKM nr.42 datë 16.01.2008. “Për miratimin e Rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit klasifikim dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtarinë ndërtimi.” Pra si drejtues ligjor paraqitet administrator Vladimir Pjetërgjoka, kurse në bazë të një tjetër dokumentacioni, licencës drejtues ligjor është vetëm Kujtim Arifaj.

Teksa në kreun 1: “Qëllimi fusha e veprimit të rregullores dhe përkufizimit pika 2 të VKM, nr. 42 parashikohet se “Drejtuesi ligjor-personi fizik administrator për shpk drejtor president për sh.a. personi fizik të përcaktuar si të tillë nga vendimi i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të regjistrit ose në gjykatë, në kreun III “kategorizimi dhe klasifikimi i licencës elementet e saj , kushtet, kriteret. Nga shqyrtimi i dokumentacionit më sipër, referuar praktikës së vendimmarrjeve të Komisionit të Prokurimit Publik për rastet e mospërputhjes së drejtuesit ligjor të licencës me administratorin sipas QKRsë. Por edhe praktikës së vlerësimeve të kryera në raste të ngjashme, licenca e lëshuar për shoqërinë PE VLA KU megjithëse është lëshuar nga institucionet përgjegjëse konkretisht nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit shfaq mangësi dhe nuk përmbush të gjitha detyrimet ligjore të parashikuara nga akti normativ. Ekspertja Radonshiqi sqaron se: “Kjo garë duhet të jetë transparente e ndershme e paanshme nga ana tjetër duhet të jetë konkurruese, nëse i referohemi këtyre 3 parimeve shpesh herë në Shqipëri janë shkelur”.

TENDERIMI NË GJAKOVË

Në tenderin e marrë nën shqyrtim nga gazetarët investigativë të emisionit “Vetting” u zbuluan dy degët e kompanisë “PE VLA KU” në Kosovë. Edhe në një tender në Gjakovë. Sipas medias vendase kjo kompani ka çaluar. Konkretisht sipas gazetës online Insajder, kompania është futur në listën e zezë. OSHP ose Gjykata e Tenderave Kosovë ka marrë vendim për të penalizuar kompaninë “PE VLA Ku”, dega Kosovë, dhe kjo masë u mor pas mosrespektimit të kushteve të përshtatshmërisë në një tender për rindërtimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë. Në vendimin e lëshuar më 17 tetor 2024, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pranuar pjesërisht kërkesën e Komunës së Gjakovës për diskualifikimin e operatorit ekonomik “PE VLA KU” dhe të tjerë, për përfshirje në aktivitete të papërputhshme me dispozitat ligjore të tenderimit. Kjo kompani ka shfaqur mungesa serioze në dokumentet e depozituara duke u përjashtuar për një afat 6 mujor për të marr pjesë në tenderat e Kosovës. Sipas dokumentit të OSHPsë, ky vendim vjen pas shqyrtimit të një kërkese nga Komuna e Gjakovës, e cila kishte konstatuar se disa anëtarë të grupit të operatorëve ekonomikë që kishin marrë pjesë në tender nuk i kishin përmbushur kriteret e përshtatshmërisë të kërkuara.

Raporti i hetimit ka vërtetuar se një nga anëtarët kryesorë të grupit, kompania “PE VLA KU” kishte dështuar të ofronte dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk kishte përmbushur kriteret e përcaktuara për kualifikim. Vendimi përfshin diskualifikimin e kompanisë “PE VLA KU” për një periudhë gjashtëmujore nga pjesëmarrja në tenderë publikë në Kosovë. Ekspertët e OSHP-së theksuan se kompania kishte shfaqur mungesë serioziteti në ofrimin e garancisë për ofertën, duke përfshirë zgjatjen e validitetit dhe të sigurimit të ofertës. Ky rast i futjes në listën e zezë vjen si rezultat i përpjekjeve të OSHP-së për të zbatuar në mënyrë rigoroze dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon që operatorët ekonomikë të jenë të përputhshëm me të gjitha kriteret e përshtatshmërisë në aktivitetet e prokurimit publik.

PËRJASHTIMI NGA TVSH

Rreth 780 biznese që kanë kryer apo po kryejnë punime në kuadër të Programit të Rindërtimit pas tërmetit të 2019-ës nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Qeveria i ka përjashtuar nga taksa ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lëshuar autorizimin që konfirmon se sipërmarrja nuk ka detyrim të paguajë TVSH nëse aktiviteti, malli apo shërbimi është produkt i Programit të Rindërtimit. Të dhënat janë përpunuar nga Open Data Albania. Ata që përfitojnë nuk janë vetëm kontraktorë që kanë fituar tendera nga autoritetet. TVSH nuk do të paguajnë gjithashtu dhe nënkontraktorë apo furnitorë të tyre të angazhuar në zbatim të kontratës.

Programi i Rindërtimit po financohet me fonde të Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve të huaj. Ndërkohë mbështetje financiare nga qeveria do të përfitojnë dhe kompanitë që aktualisht kanë kontrata publike në sektorin e ndërtimit. Ministrja e Financave Delina Ibrahimi tregoi se ato do të kompensohen me 30% të vlerës së kontratës aktuale, subvencion ky që do të miratohet pas analizimit të faturave. Pas shumë kritikave nga Bashkimi Europian, por edhe problemet e shumta me tërmetet dhe zjarret, Qeveria Shqiptare miratoi Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë Natyrore për periudhën 2023-2030.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme