Emisioni investigativ “Tak Fak” në News24 zbuloi sot degradimin e Kishave të Voskopojës, monumente kulture të rëndësisë së veçantë.
Pavarësisht premtimeve të Ministrisë së Kulturës për alokimin e fondeve për restaurimin e këtyre kishave, situata aktuale tregon se edhe pse jemi në vitin 2025, restaurimet janë kryer në mënyrë pjesore.
Gazetarja e “Tak Fak” vizitoi Kishën e Shënkollit në Voskopojë, e cila është një monument kulture i rëndësishëm, ndërtuar në vitin 1721.
Kisha ka pasur dy restaurime gjatë viteve të fundit, por sërish ka pësuar dëmtime të reja. Restaurimi i fundit ishte kryer në vitin 2022, por edhe pas tij, hyrja kryesore e kishës është dëmtuar, duke iu vendosur një fashë, si për ta mjekuar ndërhyrjen.
Pjesa më e prekur janë ikonat, shumë prej të cilave janë realizuar nga vëllezërit Zografi. Pothuajse e gjithë zona e hajatit të kishës është dëmtuar, duke sjellë shqetësim për ruajtjen e këtyre vlerave kulturore.
Prifti i kishës tha se kjo ndihmë është e nevojshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ai përmendi se kisha është restauruar disa herë, përfshirë restaurimin e çatisë dhe pjesës së hajatit. Ai shprehu shqetësimin se disa pika vazhdojnë të bien, duke kërkuar mbështetje nga institucionet për të siguruar ruajtjen e këtyre vlerave.
“Shpresojmë që Zoti t’i ndihmojë ata që kanë përgjegjësinë për ruajtjen e këtyre monumenteve, që të kujdesen për ato që na kanë lënë të parët tanë dhe t’i transmetojmë në breza,” tha ai.