Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e dënon ashpër vendimin e Qeverisë për emërimin e Petar Bogoevskit si udhëheqës të Agjencisë për Fondet Arsimore Evropiane – një institucion që ka për qëllim t’i afrojë të rinjtë me vlerat evropiane, e jo siç shprehen nga kjo parti t’i ofendojë dhe t’i poshtërojë ata.
“Emërimi i një personi i cili tërë karrierën e tij publike dhe politike e ka ndërtuar mbi fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, paraqet një provokim të drejtpërdrejtë jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për vetë idenë evropiane në vend. Veçanërisht ironike dhe tragjike është që ky individ ka qenë objekt i kallëzimeve penale pikërisht nga partitë e vLEN-it në Qeveri – dhe sot me mbështetjen e tyre, shpërblehet me një funksion udhëheqës. Ky akt është një sinjal i qartë: fyerjet ndaj shqiptarëve jo vetëm që nuk sanksionohen, por edhe shpërblehen me pozita shtetërore. Ky është një mesazh i rrezikshëm se kushdo që dëshiron të ndërtojë karrierë politike, mjafton ta poshtërojë popullin shqiptar. Për më tepër, besimi për të menaxhuar fondet evropiane i jepet një personi që jo vetëm ka bërë deklarata fyese ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj vetë Bashkimit Evropian dhe vlerave të tij – çka përbën një fyerje për partnerët evropianë dhe për taksapaguesit e BE-së që financojnë këto programe”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Nga partia e Ahmetit bëjnë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi.
“Qeveria nuk guxon të lejojë që shteti të shndërrohet në një skenë për provokime të lira, në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane”, thonë nga BDI.