Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të martë në Gjermani, ku një 33-vjeçar me origjinë nga Kosova, i identifikuar si Samson K., dyshohet se ka sulmuar fizikisht me thikë bashkëshorten e tij, Sabrina K., 31 vjeçe, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, ngjarja ka ndodhur në prani të djalit të tyre 7-vjeçar. Viktima ka marrë pesë goditje me thikë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Çifti kishte dy fëmijë të mitur – një vajzë 4-vjeçare dhe një djalë 7-vjeç – ndërsa raportohet se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të tensionuara prej vitesh. Gazeta Bild shkruan se çifti ishte përfshirë më parë në episode dhune në familje, me Samson K. që kishte qenë i dënuar për sulm ndaj bashkëshortes.
Në janar të këtij viti, ai e kishte goditur atë në fytyrë dhe i kishte shkaktuar dëmtime të dukshme. Pas këtij incidenti, një vendim gjykate i ndalonte të afrohej më shumë se 100 metra pranë apartamentit të saj dhe të kishte kontakt me të. Ky vendim ishte shkelur nga ai në katër raste të dokumentuara, ndërsa masa ishte ende në fuqi deri më 19 korrik 2024.
Detajet nga sulmi:
Sipas të dhënave hetimore, incidenti i fundit ndodhi pas një përpjekjeje të Samson K. për të marrë vajzën e vogël nga kopshti. Pasi edukatorët nuk ia dorëzuan për shkak të urdhrit të ndalimit, ata njoftuan nënën, e cila e mori fëmijën dhe e çoi te një mikeshë. Më pas, Sabrina shkoi të merrte të birin nga shkolla.
Teksa ishte duke u kthyer në shtëpi me djalin, ajo u sulmua në hyrje të apartamentit të saj nga bashkëshorti, i cili dyshohet se e kishte ndjekur. Me një thikë të vogël, ai e goditi disa herë në trup përpara syve të fëmijës.
Samson K. nuk tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe qëndroi pranë bashkëshortes së plagosur, ku thuhet se ka bërë një telefonatë dhe është fotografuar nga një dëshmitar. Ai mësohet të ketë thënë: “Nuk e dini çfarë më bëri ajo”, megjithatë motivet konkrete të aktit mbeten të paqarta.
Fëmijët e mitur të çiftit janë marrë në kujdes nga autoritetet. Një zyrtare policore është parë teksa çonte vajzën e vogël në një ambient të posaçëm me lodra për të minimizuar traumën.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë po vazhdojnë nga autoritetet gjermane, ndërkohë që 33-vjeçari ndodhet në paraburgim dhe pritet të dalë përpara gjykatës.