Prej pak javësh disa protesta radhazi janë organizuar nga shqiptarët në Ulqin, të cilët kundërshtojnë një plan të qeverisë së Malit të Zi për t’ju dhënë investitorëve të huaj një pjesë të bregdetit të kësaj komune.
Sipas marrëveshjes, të cilën banorët e qytetit e konsiderojnë si “shitja e Ulqinit”, parashikohet që 12 kilometra plazh t’u jepet investitorëve për 99 vite.
Për çështjen në fjalë dhe hapat që Tirana zyrtare po ndjek për të ndihmuar komunitetin shqiptar në Ulqin, është pyetur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Kryediplomati shqiptar tha se ka pasur komunikime me kryekomunarin Genci Nimanbegu dhe se po punohet për t’ju ofruar atyre kanale komunikime me qeverinë malazeze për një trajtim më të thelluar të çështjes.
“Republika e Shqipërisë ngriti flamurin shqiptar në Ulqin, një flamur që nuk valëvitej zyrtarisht që nga lidhja e Prizrenit. Isha, bërë një bisedë shumë të gjatë dhe pata një diskutim shumë të mirë me kryetarin e bashkisë së Ulqinit dhe ne do të vazhdojmë jo vetëm t’i dëgjojmë vëllezërit dhe motrat tanë kudo që janë por edhe të fillojmë dhe të ofrojmë kanale komunikimi me qeveritë e vendeve ku ata prosperojnë”, deklaroi Hasani.