Byroja Kombëtare e Hetimit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së martës (15 prill), rreth orës 19:20, në aksin rrugor Fier–Patos, ku agjentët e BKH-së dhe forcat operacionale të Policisë së Shtetit u sulmuan gjatë ushtrimit të detyrës.
Në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e SPAK thuhet se në momentin e sulmit, hetuesit dhe oficerët e Policisë po vepronin në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme. BKH thekson se sulmi ka ndodhur pa asnjë motiv dhe se autorët tashmë janë identifikuar dhe ndodhen në paraburgim.
Të arrestuarit për këtë ngjarje janë Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, nipër të kandidatit për deputet Agron Kapllanaj, si dhe Gerald Kollçaku.
Byroja Kombëtare e Hetimit nënvizon se të gjitha veprimet e saj janë kryer në përputhje të plotë me ligjin dhe nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të prokurorëve të posaçëm.
Njoftimi i BKH:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.
Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.