Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se është arrestuar edhe një person, që dyshohet se është përfshirë në dhunën kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 2023.
“Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndiejë lirinë për aq kohë sa ka cenuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar”, shkroi ai në Facebook.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pësuan lëndime – disa edhe serioze – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.
Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato ishin kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.
Deri më tani, autoritetet e Kosovës kanë ngritur disa aktakuza ndaj personave të përfshirë në dhunën në Zveçan.
NATO ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./REL