Një aksident mësohet se ka ndodhur mesditën e sotme para Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku një punonjës i ministrisë është përplasur nga një makinë teksa kalonte rrugën.
Sipas një reagimi nga vetë Ministri i Jashtëm, Ilgli Hasani, i lënduari është transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Kolegu ynë është jashtë rrezikut për jetën, në gjendje stabël dhe nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës”, njofton Hasani.
Ndërkohë, autoritetet përkatëse po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Reagimi i Igli Hasanit
Shpreh mirënjohjen time për Urgjencën Kombëtare, Spitalin e Traumës dhe Policinë e Shtetit për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në reagimin ndaj aksidentit të ndodhur pak orë më parë, ku një koleg i yni u përplas nga një automjet ndërsa po kalonte rrugën pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ndërkohë që autoritetet përkatëse po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, dëshiroj të informoj se kolegu ynë është jashtë rrezikut për jetën, në gjendje stabël dhe nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.