Presidentja Vjosa Osmani është treguar e ashpër ndaj Avni Deharit, kryesuesit të seancës së Kuvendit të Kosovës, i cili i ka dërguar letër lidhur me dështimin e seancës së djeshme dhe vazhdimin e hapave të mëtejmë.
Në letrën ku Dehari ka kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme përpara, Osmani në të njëjtën formë me një letër nga ana e saj, të siguruar nga Klankosova.tv, ka pohuar se deputetët duhet të mblidhen brenda 48-orëve.
Ajo ka shtuar se është e gatshme të diskutojë nëse e nevojshme me kryetarët e partive politike.
“Kosovës është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik. Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si Kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit”.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi”.
“Në përmbyllje të kësaj letre, si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”, u shpreh Osmani në letër.