Gazetar: Mihajllon Donev
I vazhdohet paraburgimi për 30 ditë të tjera ish ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Këtë e ka konfirmuar avokati i tij mbrojtës Elenko Millanov. Sipas tij vazhdimi i paraburgimit është bërë me arsyetimin e njëjtë si herën e kaluar, se ekziston rreziku për arratisje dhe për ndikim ndaj dëshmitarëve. Avokati Millanov ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin. Përveç Bekteshit, hetimi përfshin edhe persona të tjerë nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për marrje ryshfeti, përkatësisht dyshohet se në këmbim të parave ka mundësuar që diskoteka “Puls” të punojë me licencë të falsifikuar. Një ditë më parë hetimi përfshiu edhe shtatë persona nga Ministria e Punëve të Brendshme, edhe atë kryeshefa dhe inspektorë aktualë e të mëparshëm nga Shtipi dhe Koçani, të cilët me veprimet e tyre kanë mundësuar që diskoteka “Puls” në mënyrë të pabazë të pajiset me licencë pune. Për 6 persona, prokuroria kërkoi ndërsa gjykata u caktoi masa kujdesi, ndërsa njëri prej tyre është ende në arrati. Gjatë fundjavës, organet hetuese njoftuan se hetimi është zgjeruar edhe për 19 persona, që do të thotë se deri tani janë përfshirë gjithsej mbi 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë, mes tyre pronari i diskotekës, ish kryetarë dhe kryetarë aktual të komunës së Koçanit, si dhe ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Hetimi ende vazhdon dhe po udhëhiqet nga një ekip prej 13 prokurorësh. Deri më tani janë kryer një numër i madh bastisjesh, janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë dhe sipas informacioneve, janë mbledhur mbi një mijë prova materiale. Në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Puls” më 16 mars humbën jetën 61 persona. /Alsat.mk