Fituesja e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, megjithëse jo të shkruar, për ta formuar Qeverinë e re të vendit, tha të enjten vonë deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Haxhi Avdyli. Duke folur për emisionin “Konfront” të KTV-së, Avdyli tha se nuk është i autorizuar të flasë për marrëveshjen, por shtoi madje se bisedimet janë “shumë pozitive” dhe se tashmë “LVV-ja i ka 61 vota në Kuvend”, por se ajo do më shumë se aq.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt… Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, tha Avdyli.
Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhje. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe AAK-ja këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi. Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë. Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re. Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh. AAK dhe Nisma i fituan i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit. Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare. Avdyli tha të enjten se Vetëvendosje i “ka tashmë” votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re.
“Ata e dinë që ne i kemi numrat. Ne i kemi 61, por nuk i kemi 63 a 65. Por synojmë t’i rrisim. I kemi të sigurt 61”, ka thënë ai.
Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre. Me tri votat e Nismës dhe 10 të pakicave joserbe, partia e Kurtit do t’i kishte 61 vota, minimumi i kërkuar për formimin e Qeverisë së re./REL/