Gazetare: Linda Ebibi
“Pothuajse asnjë barnatore nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë për t’i publikuar çmimet e barnave në faqet e tyre online. Ky vendim është sjell nga ana e autoriteteve vendore para një muaji për shkak të rritjes enorme të çmimeve”, raporton Linda Ebibi, gazetare.
Megjithatë, qytetarët besojnë se asnjë masë që është sjell deri më tani nga autoritetet kompetente, së bashku me këtë të fundit nuk do të ndikoj për mos rritjen e çmimeve të barnave.
“Nuk besoj, nuk besoj se do ti ulë çmimet. Edhe më herët ka pasur kësi raste, megjithatë tregtarët duan të punojnë më shumë dhe nuk besoj se do të arrihet diçka. Çmimet e barnave varet se cilin ilaç e merrni, ja unë për gruan marrë ilaç që kushtojnë 2200 denarë. Nëse nuk ke para mjaftueshëm nuk mund ta blesh atë ilaç”, u shpreh një qytetar.
“Po ku ka me zbrit be bijë, a është duke zbritur diçka, ja 100 denarë qep, kemi marrë 20 denarë tani 100 denarë. Ilaçeve mos prek, dje i kam marrë 2000 denarë për shoqen për shtypjen. Këto janë duke luajtur me neve, çka me bo”, tha një tjetër qytetar.
“Nuk ma merr mendja sepse nuk ka shtet, me pas shtete bëhet ama shtet nuk ka. Shumë janë çmimet e larta tepër”, theksoi një tjetër qytetar.
U drejtuam tek Oda e Farmacisë për të pyetur nëse do ta respektojnë vendimin e qeverisë, edhe pse qëndrimi i tyre i fundit ishte se janë kundër këtyre ndryshimeve, por nga atje nuk arritëm të marrim përgjigje.
Dje Shoqata e Farmacive Privatë së bashku më Odën e Farmacisë dolën kundër vendimit të Qeverisë. Sipas tyre, këto ndryshime do të ulin shërbimet e tyre pasi kanë mungesë të kuadrit të farmacistëve. Ata kanë dërguar edhe ankesë deri te institucionet kompetente, për çka presin që në një afat sa më të shkurtër kohor të thirren për bisedime.
Ndërkohë të gjithë ata që nuk do t’i respektojnë masat e reja do të përballen me gjoba nga 500 deri në 1000 euro. /Alsat.mk