Kremtohet e Premtja e Madhe/ Shërbesa kryesohet nga Kryepeshkopi Joani në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

E Premtja e Madhe është momenti kur Kisha qëndron me frymë të ndalur përpara misterit të Kryqit, varrimit dhe zbritjes në Hadh të Krishtit.


e premtja e madhe

Në këtë ditë, Zoti ynë Jesu Krisht pranon vuajtjen dhe vdekjen për shpëtimin e gjinisë njerëzore. Ai që është Jeta, hyn në varr për të shkatërruar vdekjen. Ai që është Drita, hyn në errësirë për të ndriçuar gjithësinë.

Të gjitha pësimet, vajtimet, kryqëzimi dhe varrosja e Krishtit shihen e përjetohen nën dritën e Ngjalljes. Sepse Zoti nuk mbetet në varr, por ngjallet dhe me Të ngjallet gjithçka. Dhimbja e së Premtes është përgatitje për gëzimin e Pashkës.

Shërbesa e së Premtes së Madhe, me solemnitetin e saj të thellë, u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Shërbesa filloi në orën 18:00 dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e gjallë të klerikëve, korit Bizantin dhe besimtarëve, në një atmosferë përulësie e përqendrimi shpirtëror.

Në zemër të shërbesës u psalën vargje nga stancat e vajtimeve,  fjalë me përmbajtje  të thellë që përmbledhin dhimbjen dhe shpresën e Kishës:

Ti, o Krisht, o Jetë, Ti u vure në varr, edhe forcat ëngjëllore çuditeshin, dhe lavdi këndonin për denjimin tënd.

Si po vdes, o Jetë, si rri brenda në varr, kur fuqinë e armikut e shtype krejt, dhe prej Ferrit të varrosurit i ngjall.

Vdiq duke dashur, dhe u vu në dhé, dhe më ngjall, o Jisu Shpëtimtari im, që prej varrit të mëkatit tiranik.

Ty të meriton madhështimi, Ty, o Jetëdhënës, se mbi kryq për ne i ndeve sot duartë, dhe armikun e dërrmove plotësisht.

Un’ e vetmja, midis grash, pa dhimbje të kam lindur, po tani kam dhimbje të paduruar, po thërriste Shën Maria me vajtim.

Si një pelikan, i plagosur me një shtizë në brinjë, i ushqen edhe i ngjall bijt’ e tu me gjak, dhe me çurka jetëplotë i vadit.

Gjithë gjeneratat, vaje të blatojnë, o Krishti im, mbi varrin.

Miroprurëset erdhën, ta sërkatën varrin me lotë dhe me miro.

Ngrënësit e masës, shajnë dhe shkelmojnë Atë që i ushqeu.

Kur të pa të shtrirë, Nëna Virgjëreshë, me kujë të vajtonte.

O pranver’ e ëmbël, Biri im i dashur, ku e ke bukurinë!

Ngrihu zemërdhembshur, dhe të gjithë ngrije nga gropat e Skëterrës.

Ngrihu Jetëshënës, Nëna që të lindi të thoshte e përlotur.

Fali paqen Kishës, popullit shpëtimin, o Zot, me Ngjalljen Tënde.

Në këtë mbrëmje,, Kisha nuk qëndron vetëm pranë varrit — ajo pret ngjalljen. Dhe nga zemra e saj ngrihet lutja:

“Krishti që u kryqëzua — do të ngjallet dhe me ngjalljen e tij, I dhuron jetë gjithë qenies njerëzore.”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme