Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz i ndodhur mbrëmjen e 17 prillit rreth orës 21:30 në kryeqytet, ku u qëllua me breshëri automatike drejt një automjeti tip G Class, brenda të cilit ndodheshin katër të rinj. Policia ka konfirmuar se përveç makinës objekt i atentatit, një tjetër automjet është goditur nga një prej plumbave.
Bëhet fjalë për një makinë tip Ford, e cila ndodhej paralelisht në rrugë në momentin e sulmit. Shoferi i saj, një i ri, ka deklaruar në polici se plumbi ka goditur kolonën e derës së makinës, por për fat të mirë ai ka shpëtuar pa lëndime. I tmerruar nga situata, ai është larguar menjëherë dhe është futur në parkimin e një qendre tregtare aty pranë, ku ka lajmëruar më pas policinë.
Sipas dëshmisë së tij, gjithçka ka ndodhur në pak sekonda dhe nuk ka arritur të shohë apo identifikojë autorët. Ai është konsideruar si dëshmitar okular, por ka theksuar se ngjarja ndodhi me shpejtësi të madhe dhe nuk mundi të dallojë asgjë të qartë.
Nga hetimet e deritanishme, autoritë dyshojnë se atentatorët kanë qenë dy persona të pajisur me motor tip “Dukati”, të cilët kishin qëndruar për një kohë të gjatë në zonë në pritje të viktimave. Madje, për t’u fshehur më mirë, ata kishin prishur një gardh metalik pranë rrugës kryesore.
Pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi drejt Elbasanit, ku më pas kanë humbur gjurmët në një zonë fshati. Dyshohet se një person i tretë i ka pritur me një automjet për t’i ndihmuar të largohen nga vendngjarja.
Policia ka sekuestruar në vendngjarje 33 gëzhoja, ndërsa 8 plumba goditën mjetin G Class, dhe 1 plumb përfundoi në makinën “Ford” të qytetarit të rastësishëm.
Hetimet për këtë atentat vijojnë, ndërsa pista kryesore lidhet me larje hesapesh të natyrës mafioze.