Gazetare: Ajnur Bafqari
LSDM kërkon pagesën urgjente të rrogave për punonjësit e kulturës, inspektorët, punonjësit social dhe të punësuarit në sektorin ekonomik. Nga atje theksojnë se fakti që gjatë festave të Pashkëve këto familje janë lënë pa të ardhura dhe pa i mbushur tryezat e tyre, nuk ka të bëjë më me rastësi, por me një kaos sistematik dhe mosinteresim të plotë nga ana e pushtetit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
“Në vend që të punësuarit në një sërë institucione të festojnë me dinjitet festën e Pashkëve, ata mbetën pa paga që në të kaluarën vazhdimisht paguheshin përpara festave. Qeveria hesht, ndërsa mijëra familje janë lënë pa të ardhura dhe tryeza të mbushura, për shkak të paaftësisë së Mickoskit dhe ministrave të tij. Sot kërkojmë përgjigje, përse nuk janë paguar pagat? Kush do të mbajë përgjegjësi? Dhe më e rëndësishmja- deri kur shteti do të sillet sikur pagat të jenë “shërbim” dhe jo detyrim?”, thonë nga LSDM.
Nga Sindikata e Kulturës një ditë më parë thanë se ky problem paraqitet çdo vit në muajin prill, për shkak të problemeve me harmonizimin e rritjes së pagave. Nga atje shprehën zhgënjimin ndaj ministrit të Kulturës dhe paralajmëruan protesta për ditën e martë. Nga Sindikata e Kulturës gjithashtu thonë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të drejtat e tyre. Më konkretisht do të ngrenë kallëzim penal kundër drejtorëve për mosrespektim të marrëveshjeve kolektive dhe ligjeve, do të paraqesin padi individuale kundër institucioneve për mos pagesë të pagave në përputhje me Kontratat Kolektive, do të paraqesin padi individuale pranë institucioneve për kërkesa monetare për vonesën e pagave për 3 vitet e fundit si dhe do të informojnë ambasadat dhe përfaqësitë e huaja, veçanërisht ato të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, për shkeljet e të drejtave të garantuara kushtetuese dhe të punës në vend. Nga Ministria e Kulturës thanë se të punësuarit do t’i marrin pagat e tyre bashkë me rritjet në dy ditët e para të javës së ardhshme, duke nënvizuar se arsyeja e vonesës është për shkak të harmonizimit të pagave me Ministrinë e Financave. /Alsat.mk