Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se do të jetë sërish emri i propozuar nga Vetëvendosje për pozitën e kryetares së Kuvendit, pavarësisht se ka dështuar dy herë të marrë votat e nevojshme në seancat e fundit parlamentare.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Haxhiu tha se opozita po e mban të bllokuar Kuvendin.
“Së pari më lejoni të falënderoj 57 deputetët që më mbështetën. Duhet të jenë 61 vota për ta zgjedhur kryetarin. Seanca u pezullua dhe u caktua ajo e radhës brenda 48 orëve, sepse Kuvendi nuk konstituohet pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Ne ishim gati të vazhdonim me procedurat, por opozita po e mban të bllokuar Kuvendin sepse nuk e mbështeti propozimin e LVV-së,” tha ajo.
Haxhiu konfirmoi se edhe në seancën e ardhshme, Vetëvendosje do të propozojë të njëjtin emër – atë të sajin.
Në dy votimet e mbajtura deri tani, Haxhiu ka marrë nga 57 vota, katër më pak se numri i nevojshëm për ta siguruar pozitën.
Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate nuk e ka mbështetur kandidaturën e saj.