Pas zhvillimeve të fundit në skenën politike shqiptare, ku Aleanca për Shqiptarët nuk është më pjesë e koalicionit VLEN, me çka u shfaqen edhe shumë zëra në opinion për orientimin e ASH-së më tutje, ka folur sot Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, I cili ka deklaruar se me Arben Taravarin ka patur një bisedë të shkurtë telefonike dhe asgjë më tepër. Ai tha se ata si BDI janë duke ndjekur të gjitha zhvillimet, por jo personalisht ai, për shkak se siç tha Ahmeti, ka detyrim ndaj platformës, programit dhe angazhimeve që i janë caktuar.
ALI AHMETI, KRYETAR I BASHKIMIT DEMORKATIK PËR INTEGRIM
“Me rëndësi është që politika shqiptare të jetë konstruktive në Maqedoninë e Veriut, të jetë ndërtuar mirë, qëndrimet e BDI-së jo njëherë i kam publikuar që me angazhimin e partive politike në VLEN në ekzekutivin e RMV-së, e kanë devalvuar dhe poshtëruar shqiptaret e Maqedonisë. Thirrje ju kemi bërë në vazhdimësi që t’i braktisin institucionet të mos bëhen pjesë e poshtërimit të shqiptarëve”.
Ahmeti tha se si duket nga të gjitha zhvillimet e raportet që i vijën atij, Taravari e ka kuptuar që pozitat e shqiptarëve në ekzekutiv janë vetëm të një argati, ndërsa përsëriti kërkesën e tij, për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që të mbahen bashkë me ato lokale.
ALI AHMETI,KRYETAR I BASHKIMIT DEMORKATIK PËR INTEGRIM
“Uroj që edhe të tjerët ta kuptojnë, jo njëherë e kemi konfirmuar, ne nuk zëvendëspojmë asnjë subjekt qeveritarë në Qeveri, ne jemi për zgjedhje të parakohshme të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale”.
I pyetur nëse ka mundësi që Zijadin Sela të largohet nga Fronti Evropian, tha se këto zëra dhe slogane i dëgjon që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Megjithatë, kreu i Integristëve tha se me Zijadin Selën është në kontakt të përditshëm dhe janë në rrjedha të situatës politike.
Samir Mustafa /SHENJA/