Trupi i Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare, është zhvendosur mëngjesin e sotëm nga rezidenca e tij në Casa Santa Marta drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, ku besimtarët do të kenë mundësi të bëjnë homazhe dhe t’i japin lamtumirën e fundit Papës së dashur.
Ceremonia nisi me një lutje të udhëhequr nga Kardinali Kevin Farrell, ndërsa homazhet do të zgjasin për tre ditë, duke i dhënë mundësinë publikut dhe pelegrinëve nga e gjithë bota të nderojnë figurën dhe trashëgiminë shpirtërore të Papa Françeskut.
Varrimi do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00 të mëngjesit, në një ceremoni madhështore ku pritet të marrin pjesë liderë botërorë si Donald Trump, Volodymyr Zelensky, Ursula von der Leyen, Keir Starmer dhe shumë të tjerë.
Të martën, trupi i Papës u vizitua në mënyrë private nga kardinalë, punonjës të Vatikanit, si dhe nga figura të larta shtetërore, përfshirë Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella.
Për të nderuar këtë humbje të madhe për Kishën Katolike dhe botën, Qeveria ka shpallur pesë ditë zie kombëtare, duke filluar nga e marta deri të shtunën, ditën e varrimit.
Bazilika për homazhe do të jetë e hapur në oraret e mëposhtme:
E mërkurë 23 Prill – nga ora 11:00 deri në 24:00
E enjte 24 Prill – nga ora 07:00 deri në 24:00
E Premte 25 Prill – nga ora 07:00 deri në 19:00