Një fëmijë palestinez u qëllua për vdekje nga forcat izraelite në një bastisje ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar të mërkurën, transmeton Anadolu.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës tha se një djalë 12-vjeçar u qëllua në fytyrë dhe në bark në Yamon, në perëndim të qytetit të Jeninit.
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite bastisën qytetin, duke shkaktuar përleshje me banorët e zemëruar, gjatë të cilave ushtarët izraelitë përdorën zjarr të vërtetë dhe gaz lotsjellës.
Më vonë, ushtria izraelite pranoi vrasjen e fëmijës, duke pretenduar se “ai kishte tentuar të hidhte një mjet shpërthyes mbi ushtarët”.
Në një sulm tjetër, kolonët e paligjshëm izraelitë dogjën shtatë shtëpi dhe pesë automjete që u përkisnin palestinezëve në qytezën Sinjil, në veri të Ramallahut.
Kryetari i bashkisë së Sinjilit, Moataz Tawafsha, tha se “qyteza është sulmuar për herë të dytë brenda pak ditësh, pasi grupet e kolonëve sulmuan tokat në pjesën veriore dhe atë jugore të Sinjilit, si dhe zonat në fshatin fqinj Al-Mazra’a Al-Sharqiya”.
“Grupe të mëdha kolonësh të armatosur me armë, shkopinj dhe gurë sulmuan shtëpitë dhe u vunë flakën atyre”, shtoi ai.
“Qëllimi është të kapin tokat jugore të Sinjilit, të izolojnë plotësisht qytezën dhe ta kthejnë atë në diçka të ngjashme me një burg”, tha Tawafsha.
Tensionet kanë qenë të larta në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku më shumë se 956 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7.000 janë plagosur që nga fillimi i luftës së Gazës në tetor 2023, sipas shifrave palestineze.
Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.