Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje kriminale në një familje, falë ndërhyrjes së menjëhershme. Sipas informacionit të policisë, një 48-vjeçar, i cili ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ka kanosur bashkëshorten dhe djalin e tij, duke i kërcënuar me vdekjen.
Pasi kanë marrë informacionin për rrezikun, blutë e kryeqytetit kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë arrestuar 48-vjeçarin, i cili kishte në dorë një hanxhar, mjetin me të cilin po kërcënonte familjarët e tij. Policia ka sekuestruar mjetin prerës si provë materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, sapo janë njoftuar se mbrëmë, në një banesë në rrugën “Haki Stërmilli”, një shtetas po kanoste familjarët e tij, për jetën, me mjet prerës (hanxhar), kanë shkuar në vendngjarje. Si rezultat i ndërhyrjes policore profesionale u parandalua ngjarja kriminale në këtë familje, si dhe u arrestua në flagrancë autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. B., 48 vjeç, banues në Tiranë”, thote policia.
Nga verifikimet e mëtejshme në lidhje me rastin, rezultoi se 48-vjeçari ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.