Gazetar: Zekirija Haxhiu
Përpos në organet e hetuesisë, hetimet për tragjedinë në Koçan vazhdojnë të jenë temë diskutimi edhe në Kuvend. Opozita vazhdon të konsiderojë se po mbrohen funksionarë aktualë të pushtetit ndërsa po arrestohen vetëm funksionarë nga qeveritë e kaluara, e të cilët siç tha deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçulevski, mund të jenë të përfshirë vetëm në mënyrë indirekte.
“Konkluzioni i dytë është udhëheqja e hetimit selektiv e cila në thelb duhet të mbrojë bartësit e tanishëm në pozita të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme, inspektoratin shtetëror të tregut dhe institucione të tjera nga përgjegjësia e tyre. Udhëheqja e përgjithshme e hetimit vetëm e konfirmon tezën për hetim të kontaminuar dhe përpjekje për ndarje të së njëjtës, me qëllim që të fshehet përgjegjësia e drejt për drejtë e atyre që është dashur të parandalojnë. Zgjerimi i hetimit me dekada më herët është përpjeke që të kënaqet opinioni në llogari të zbulimit të fajtorëve të vërtetë për zjarrin në diskotekë”, deklaroi Mitko Trajçulevski – LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk dha koment nëse ka apo nuk ka hetim selektiv ndërsa për këtë i orientoi te kryeprokurori Kocevski. Thotë se është i gatshëm të hyjë në burg, nëse prokurori konsideron se është fajtor. Kjo vlen edhe për funksionarët e tjerë.
“Nëse kryeprokurori vendosë se duhet të shkoj në burg, do të shkoj, askujt asgjë, kjo është ajo. Nuk duhet të keni frikë, pse frikësoheni? Por nuk jam unë ai që e udhëheqë hetimin. Unë si kryeministër që do të thotë prokurori publik se duhet të arrestohen, bashkë me ministrin e punëve të brendshme, do t’i nxjerrë për veshi dhe do t’i arrestoj! Por jo vetëm për këtë rast, por edhe për ato që janë harruar, për spitalin modular, për Llaskarcën, për Besa Trans, për të gjitha!”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Mickoski rikujtoi se edhe funksionarë aktual të Qeverisë por edhe funksionarë të VMRO-DPMNE-së, janë pjesë e hetimeve dhe e të dyshuarve. Bëhet fjalë për ministrin pa portofol, Shaban Saliu, i cili për momentin gjendet në paraburgim, drejtori aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Xhevat Selami, por edhe kryetari i deritanishëm i Koçanit, i cili së fundmi u lëshua në arrest shtëpiak. Nga hetimet e deritanishme, të akuzuar janë gjithsej 68 persona. /Alsat.mk