Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në intervistën për Alsat paralajmëroi se në Kuvend do të dorëzojnë ligj special për tragjedinë e Koçanit, me qëllim që t’u dilet në ndihmë familjarëve të viktimave dhe të lënduarve.
“Grupi ynë parlamentar përgatit ligj special për Koçanin të cilin do ta dorëzojmë në Kuvend javën e ardhshëm. Ai është ligj sipas shembullit të vendeve tjera në botë, ku kanë ndodhur kësi tragjedi, me çka me ligj të posaçëm u ofrohet mbështetje dhe ndihmë të posaçme para se gjithash financiare, me qëllim që familjet t’i mbulojnë më lehtë shpenzimet që i kanë rreth asaj që ka ndodhur, pastaj për familjet që kanë të lënduar dhe ndihmë e posaçme që të forcohet sistemi atje ku mendojmë se duhet të bëhet”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Megjithatë, në Kuvend ndërkohë ka një iniciativë nga VLEN për komision parlamentar jo vetëm për Koçanin por edhe për tragjeditë e tjera. Për këtë, Filipçe shprehet:
“Ne nuk kemi kurrfarë problemi që të diskutojmë për gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, përderisa është objektive dhe bazohet në parime të vërteta, të mos jetë komisioni si Komisioni Anketues për Onkologjinë që fshehën dokumente për mua”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Në lidhje me çështjen e zgjedhjeve kryetari i LSDM-së, thotë se janë të gatshëm. Filipçe, tha se momentalisht nuk kanë koalicion zyrtar me asnjë prej partive shqiptare, ndërsa janë të hapur me të gjithë të cilët janë afër sipas vlerave.
“Ne jemi absolutisht të përgatitur për çfarëdolloj zgjedhjesh që të ketë në vjeshtë, qoftë vetëm lokale apo bashkë me parlamentare. Partia është në kondicion gjithnjë më të mirë. Do të bashkëpunojmë me çdonjë që jemi afër fillimisht me vlera, që do të tregojmë respekt të ndërsjellë dhe me të gjithë me të cilët do të vlerësojmë se programet dhe premtimet para qytetarëve më lehtë do t’i realizojmë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Filipçe tha se në takim me Mickoskin nuk kanë biseduar për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në lidhje me procesin e reformave, Filipçe tha se është dakorduar me Mickoskin që të mbështetet procesi i miratimit të ligjeve nga pakoja e rritjes. Megjithatë, sipas tij, vendi po humb kohë pasi nuk po i miraton ndryshimet kushtetuese të cilat do të hapnin rrugën për fillimin e negociatave me BE-në. /Alsat.mk