Ka dështuar për herë të dhjetë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës në mungesë të votave të mjaftueshme për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, raporton Anadolu.
Ashtu sikurse të enjten, seanca nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të kryeparlamentarit. Megjithatë, shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.
Në votimin e këtij komisioni, 54 vota ishin pro, 1 kundër dhe nuk kishte abstenime.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, mbylli seancën në mungesë të votave të mjaftueshme dhe paralajmëroi vazhdimin e saj të hënën nga ora 10:00.
Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se është marrëzi që nga veprimet e njëjta të priten rezultate ndryshe.
Ai tha se derisa kandidate për Kryetare të Kuvendit të jetë Albulena Haxhiu, dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë. Të njëjtën gjë, në mospajtim me Albulena Haxhiu si kryetare, e thanë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.