U plagos në përplasjen e ditës së djeshme me armë, 24-vjeçari Gerald Bitri ndërron jetë në spital

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, një ditë pas ngjarjes së rëndë në Laç, 24-vjeçari Gerald Bitri, një nga pesë personat e plagosur në përplasjen me armë zjarri që ndodhi mesditën e së shtunës.


I riu nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në zonën e legenit dhe humbi jetën gjatë natës.

Përveç Gerald Bitrit, nga ngjarja mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë: Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe një shitëse ambulante, Angjelina Gjezaj, 58 vjeçe, e cila ishte përpjekur të ndërhynte për të shuar sherrin mes të rinjve. Gjatë përplasjes me armë, një plumb e kapi në këmbë.

Dinamika e ngjarjes

Sherri mes të rinjve kishte nisur që më 2 maj dhe kulmoi në përplasjen e dhunshme rreth orës 14:00 të ditës së djeshme. Fillimisht, palët u konfliktuan verbalish dhe fizikisht, për të vijuar më pas me përdorimin e armëve të zjarrit.

Sipas hetimeve paraprake, shkak i konfliktit është bërë një aksident rrugor me dëme të vogla materiale, i cili më pas ka degraduar në një përplasje të armatosur.

Policia bën të ditur se gjatë ngjarjes janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë Daniel Gjeloshi, 27 vjeç (i plagosur dhe jashtë rrezikut për jetën), dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç, të dy të dyshuar si autorë të veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Arma e përdorur në ngjarje është gjetur e hedhur në një pellg me ujë pranë një pallati në ndërtim, pak metra larg vendngjarjes.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme