Kërcënimet ndaj punonjësve të AMP-së, qeveria miraton mbrojtje të veçantë

Qeveria ka marrë vendimin për ofrimin e një mbrojtje të veçantë për punonjësit e AMP-së, të cilëve gjatë ushtrimit të profesionit u kërcënohet jeta apo familja.

“Punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (në vijim AMP), të cilit, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë”, thuhet në vendimin e marrë gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë.

Kushtet që duhet të plotësojë për të përfituar mbrojtje të veçantë:


a) Prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të AMP-së;

b) Gjendja e punonjësit të AMP-së në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;

c) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.

Mënyrat e mbrojtjes së veçantë:

a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të AMP-së të rrezikuar;

b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të AMP-së;

c) ruajtjen e pronës së punonjësit të AMP-së të rrezikuar.

Mbrojtja e veçantë për efektivët e kërcënuar të AMP-së bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

VENDIMI I QEVERISË

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS PËR MBROJTJEN E VEÇANTË TË PUNONJËSIT TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES POLICORE, TË CILIT I KËRCËNOHET JETA, FAMILJA DHE PRONA PËR SHKAK TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 75, të ligjit nr.128/2021, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (në vijim AMP), të cilit, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë.

2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.

3. Punonjësi i kërcënuar i AMP-së përfiton mbrojtje të veçantë nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:

a) Prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të AMP-së;

b) Gjendja e punonjësit të AMP-së në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;

c) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.

4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në:

a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të AMP-së të rrezikuar;

b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të AMP-së;

c) ruajtjen e pronës së punonjësit të AMP-së të rrezikuar.

5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e kërcënuar të AMP-së bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

6. Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve përbëhet nga:

a) Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm, kryetar;

b) Drejtori i Hetimit, anëtar;

c) Drejtori i Forcës së Posaçme Operacionale, anëtar;

ç)  Përgjegjësi i sektorit të analizës dhe informacionit, anëtar;

d) Drejtori rajonal i qarkut, ku banon personi i kërcënuar, anëtar.

7. Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë të punonjësit të kërcënuar të AMP-së i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve nga:

a) punonjësi i AMP-së, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona;

b) struktura të AMP-së, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së;

c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të AMP-së.

8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:

a) gjenealitetet e plota të punonjësit të kërcënuar të AMP-së;

b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e AMP-së, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.

9. Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos:

a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes;

b) mospranimin e kërkesës.

10. Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Kërcënimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe përmban:

a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit;

b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të kryer, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë;

c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.

11. Në vendimin e Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.

12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale në drejtim të punonjësit të AMP-së të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.

13. Në rastet kur punonjësi i kërcënuar i AMP-së ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.

14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore urdhëron strukturat përkatëse në AMP të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së. KVK-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.

15. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme