Drejtori i ISHTI, Sokol Zaimi, u filmua nga kandidati i PD-së në Lushnjë, Gentian Çala në praninë e patronazhistëve dhe të deleguarve të PS-së, të cilët sipas tij mbanin në tryezë listën e votuesve të Karbunarës.
Sokol Zaimi, njeriu i besuar i Belinda Ballukut, në momentin që kuptoi se po filmohej ktheu përmbys fletët që mbante në tavolinë për të mos u kuptuar përmbajtja e tyre.
“Ky s’është aq qytetar i Lushnjës, është një i deleguar nga Belinda Balluku në Karbunarën e zgjedhësve”, u shpreh në video denoncuesi.
Por, drejtori i ISHTI deklaroi se: “Nuk janë listë zgjedhësish, janë fletë të bardha që ne shikojmë njerëzit”, shprehet qytetari i ulur në tryezë.
Sipas kandidatit të PD-së për deputet, drejtori i ISHTI ishte në tavolinë me familjarin e Blendi Klosit, të cilin e ka identifikuar si Lulezim Cekici, si edhe djalin e kryeplakut të fshatit Karbunarë e Vogël.
“Këta persona janë kapur në flagrancë duke ushtruar presion mbi votuesit dhe duke shkelur hapur ligjin zgjedhor”, shkroi ai në postimin në rrjetet sociale.
Postimi i Gentian Çelës:
Manipuluesit e votës do dalin në dritë – një nga një.
Deri tani kemi identifikuar:
– Djalin e kryeplakut të fshatit Karbunarë e Vogël
– Lulezim Cekici, familjar i ministrit Blendi Klosi
– Denada Senka, administratore e Njësisë Administrative Karbunarë
Këta persona janë kapur në flagrancë duke ushtruar presion mbi votuesit dhe duke shkelur hapur ligjin zgjedhor. Ne po vazhdojmë të dokumentojmë çdo emër, çdo fytyrë, çdo abuzim. Askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë – as përpara ligjit dhe as përpara qytetarëve të Lushnjës.
Ndryshimi nuk ndalet. Sot është dita e llogaridhënies.
Dilni votoni, voten tuaj do ta mbrojme ne!