Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe, ka bërë një apel për zgjedhësit në një deklaratë për media, duke i inkurajuar ata të shkojnë të votojnë.
Ajo theksoi se çdo zgjedhës ka mundësinë që të vendosë për të ardhmen e Shqipërisë, duke pasur mundësinë të zgjedhë nëse vendi do të ecë përpara ose do të shkojë në një drejtim të pasigurt.
“Shkoni dhe votoni! Merrni me vete një të afërm, një mik, një fqinj – dhe votoni për Shqipërinë që meritoni. Vota juaj është fuqia juaj. Përdoreni atë”, theksoi Çepe në mesazhin e saj.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Deri në mbylljen e kutive të votimit kanë mbetur edhe pak orë – dhe çdo votë e juaja ka rëndësi.
Në këtë ditë të jashtëzakonshme për demokracinë tonë, secili prej jush ka mundësinë të vendosë nëse Shqipëria do të ecë përpara apo do të shkojë në drejtim të paditur.
Prandaj:
I bëjmë thirrje çdo prindi, çdo nëne e babai, gjysheje e gjyshi që të mendojnë për fëmijët e nipërit e tyre e të votojnë.
I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi e çdo profesionisti, çdo punëtori e fermeri që me djersën e mundin e tyre e kanë çuar këtë vend përpara që të dalin e të votojnë.
I bëjmë thirrje të rinjve e të rejave që besojnë tek Shqipëria moderne e europiane që të dalin të votojnë,
Votoni!
Dilni dhe votoni!
Merrni me vete një të afërm, një mik, një fqinj – dhe votoni për Shqipërinë që meritoni.
Vota juaj është fuqia juaj. Përdoreni atë.