E Majta në Kuvend propozoi formimin e inspektoratit për përdorimin e stemës, flamurit, himnit dhe flamujve të bashkësive. Sipas tyre, ligjet ekzistojnë por nuk ka kush kontrollon zbatimin e tyre. Ndërkohë, nga kjo parti thonë se çdo ditë vërehen shkelje. Inspektorati, sipas tyre, duhet të ketë kapacitet të veprojë edhe mbi institucionet dhe mbi personat fizik e juridik.
“27 vjet ekziston ligj për flamurin dhe stemën shtetërore por nuk ka organ që ta zbatojë këtë ligj. Gjithashtu ekziston ligj për flamujt e bashkësive, edhe ai ligj parashikon gjoba por nuk ka institucion që i cakton ato gjoba. Praktikisht kemi fjalë të vdekura në letër. Në ndërkohë jemi dëshmitarë të mosrespektimit të përditshëm të simboleve shtetërore, veçanërisht gjatë festimeve publike, ndeshjeve sportive, madje edhe ceremonive zyrtare. Çdo ditë shohim përdorim të padrejtë, ekspozim nënçmues ose mungesë atje ku ligji parashikon përdorim”, deklaroi Amar Mexhinoviq, E Majta. /Alsat.mk