BDI: Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një kumtese shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në MPB, ku sipas kësaj partie në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike po kryhet degradimi dhe përjashtimi i shqiptarëve nga pozitat udhëheqëse.

“Rasti i fundit i shkarkimit të të gjithë zëvendësshefave shqiptarë dhe emërimi i të afërmve të Kryetarit të Komunës në Stacionin Policor të Butelit përbën jo vetëm një skandal institucional, por edhe një sinjal të rrezikshëm për rikthimin e ekskluzivitetit dhe diskriminimit në sektorin më të ndjeshëm – atë të sigurisë. Veçanërisht shqetësues është fakti që kjo ndodh në Butel, një nga komunat më të theksuara multietnike në kryeqytet, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës. Emërimet njëetnike dhe partiake në strukturat e sigurisë, si dhe degradimi poshtërues i kuadrove profesionale policore me përkatësi etnike shqiptare, minojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë së Ahmetit, pikërisht përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në polici dhe ushtri ishin parakushte për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas vitit 2001.

“Sot, po shohim një proces të kundërt: çmontimin e mekanizmave të balancës, që çon drejt rikthimit të mosbesimit dhe ndjenjës së përjashtimit te një popull i tërë”, thonë nga BDI.

Nga atje i bëjnë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, MPB-së, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë menjëherë dhe pa ekuivoke.

“Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik”, thonë nga BDI.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme