Tensione janë regjistruar në një Qendër Votimi në Tiranë, ku KZAZ nr. 40 ka dhënë urdhër për nxjerrjen jashtë të të gjithë vëzhguesve të partive politike.
Brenda qendrës së votimit kanë hyrë forcat e policisë për zbatimin e këtij urdhri. Ndërkohë, ka ndërhyrë kryetari i “Mundësia”, Agron Shehaj, i cili u shpreh: “Duhet të na nxirrni jashtë. Duhet të tërhiqni zvarrë sepse po vidhen votat. Jemi këtu vëzhgues, kemi një të drejtë të jemi vëzhgues, nuk kërkojmë qiqra në hell.”
“Ka ardhur urdhri,” iu drejtua një efektiv.
“Ka ardhur urdhri pse duhet të ndërpritet? Çfarë ka ndodhur? Ka pasur incident, konflikt? Duhet arsye,” ndërhyri Belind Këlliçi.
“Respektoje policinë sepse nuk dalim me kokën tonë të japim urdhrin,” u shpreh një efektiv, ndërsa Këlliçi vijoi të kërkonte sqarime se “Çfarë ka ndodhur?” – pyeti ai. Por polici shtoi se “Nuk jemi për shpjegim këtu.”