Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, mbajti sot një konferencë për shtyp, ku denoncoi blerjen e votave dhe akuzoi Partinë Socialiste se po përpiqet të heshtë demokratët që nuk kanë pranuar të shesin votën dhe që po denoncojnë parregullsitë zgjedhore.
Në fillim të konferencës, Paloka prezantoi një video ku, sipas tij, tregohet një rast konkret i shitblerjes së votës në Dibër. Në pamje dëgjohet një person që pohon se ka shitur pesë vota për shumën prej 500 mijë lekësh.
Sipas Palokës, videoja është regjistruar fshehtas nga Lulzim Memamshi, një anëtar i vjetër i PD-së dhe komisioner në zgjedhjet e fundit. Ai shtoi se pas publikimit të pamjeve, Memamshi është përballur me kërcënime në vendin e tij të punës.
Për këtë arsye, Paloka kërkoi mbrojtje publike për Lulzim Memamshin dhe u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë urgjentisht rastin e denoncuar.
“Lulzim Memamshi është autor i kësaj video, anëtar i PD prej vitesh ka qenë komisioner në këto zgjedhje. Ai është në gjendje shumë të vështirë ekonomike, ka dhe një djalë të sëmurë, e ka lënë bashkëshortja disa muaj më parë. Pas daljes së kësaj video dje në vendin e tij të punë i kanë vajtur dy persona që e kanë kërcënuar. Fjalët kanë qenë çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë, do ta shohësh çfarë do të bëjmë. Kërkojnë tu mbyllin gojën atyre që denoncojnë. Jam këtu për ta denoncuar si rast dhe për të marrë në mbrojtje publike Lulzimin”, tha Paloka.
Më tej Paloka i drejtohet kryeministrit Rama, duke e paralajmëruar që mos të luajë, e mos të hakmerret ndaj qytetarëve që nuk pranuan t’i shesin votën.
“Rama mund të bëhet mbret po ta harrojë se mund të luajë me demokratët. Po e paralajmëroj që as mos ta çojë ndërmend që tashi do të hakmerret dhe ndaj atyre që nuk pranuan të shiten”, tha Paloka.