Gazetar: Avni Tahiri
Inspektorati ndërtimor i komunës së Krushevës, ka vendosur ndalesë për vazhdimin e punimeve në godinën e re të shkollës së Nerovës, që banorët me vetë kontribut e ndërtuan.
Banorët e fshatit Nerovë, thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, deri në realizimin e qëllimit, që objekti i ri shkollor të legalizohet.
Banorët kërkojnë që të hiqet ndalesa për zhvillim të aktiviteteve të punës, dhe që të mund ta finalizojnë objektin e ri shkollor, që nxënësit, nga shtatori të nisin mësimin në kushte më të mira shkollore.
“Ne kërkojmë që së paku të hiqet ndalesa për zhvillim të aktiviteteve të punës pasi kemi ndalesë që të mos vazhdojmë tek objekti asgjë të ndërtohet, të paktën ajo të tërhiqet nga inspektorati i ndërtimit dhe normalisht kërkojmë garanci prej komunës edhe pse veç më e kemi nga Komuna, por kërkojmë garanci edhe nga Qeveria dhe Ministrisë së Arsimit që objekti do të legalizohet dhe do të punoje normal si shkollë legale”, tha Dashmir Jusufi – Banorë i Nerovës.
Dashmir Jusufi, banor i fshatit thotë se i ka vizituar kreu i Komunës dhe janë kontaktuar edhe nga këshilltarë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe këshilltarë të BE-së, ndërsa nxënësit edhe sot e bojkotuan mësimin.
“Edhe sot vazhdon bojkoti i nxënësve dhe qëllimi jonë është ai që e përmendëm edhe ditën e parë që bojkoti do të vazhdoje deri ditën që do ia arrijmë qëllimit ndërsa ai është që të mundësohen aktivitetet në atë shkollë dhe që nga institucionet të jepet leja e nevojshme që ai objekt të marr formën e legalizimit”, u shpreh Dashmir Jusufi – Banorë i Nerovës.
Sipas avokatit të popullit, Nazer Ziberi, brenda javës së ardhshme, avokati i popullit do të hape një lëndë për rastin e Nerovës dhe do të jep rekomandime për tejkalimin e kësaj situate.
“Sa i përket çështjes së problemit të shkollës fillore në Nerovë, fatkeqësisht deri tani avokatit të popullit nuk i është drejtuar asnjë qytetar por ne brenda javës tjetër do të hapim një lëndë me vetiniciativë dhe do ta shqyrtojmë problemin dhe konform asaj do të japim rekomandimet tona për tejkalimin e kësaj situate”, deklaroi Naser Ziberi – Avokat i Popullit.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se janë në dijeni dhe rrjedhë me shqetësimin e banorëve. Zv.ministri Lulzim Aliu përmes një përgjigje të shkurtër për Alsat, apelon që prindërit të mos i ndalojnë fëmijët nga procesi mësimor në fund të vitit shkollor. Bojkoti sipas tij nuk është zgjidhje e problemit
“Mendoj që zgjidhja nuk është me atë që bojkotojnë nxënësit sepse ashtu humbin vet ata por duke i zgjidhur hap pas hapi të gjitha pengesat që kanë të bëjnë me shkollën e fshatit. Hapi i parë është zgjidhja e aspektit pronësor të vendit ku është ndërtuar shkolla e më pas legalizimi i atij objekti dhe për këtë ka munguar nisma e Shkollës dhe bashkësisë vendore. Derisa të ndërmerren hapa për zgjidhjen e pronësisë dhe legalizimit të objektit, ju bëj thirrje prindërve të jenë të arsyeshëm dhe të mos i ndëshkojnë fëmijët me atë që i largojnë nga bankat shkollore. Atë që e humbasin nga mësimi nuk mund tua kompensojë askush”, u shpreh Lulzim Aliu, Zv.ministër i Arsimit.
Bojkotimi i mësimit nga ana mbi 140 nxënësve shqiptar të Nerovës, sot hyn në ditën e katërt që nga dita e protestës nga ana e banorëve të këtij fshati. Sipas prindërve, bojkoti i mësimit do të vazhdoje deri në zgjidhjen e problemit. /Alsat.mk