VOLTIZA DURO/Këshilli i Ministrave miratoi dje Strategjinë Kombëtare kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave Financiare të BE-së për periudhën 2025– 2030, së bashku me planin e saj të veprimit.
Vendimi u mor me propozimin e ministrit të Financave dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Strategjia e hartuar në përputhje me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të integrimit evropian, synon krijimin e një kuadri të qëndrueshëm ligjor dhe institucional për të parandaluar, zbuluar dhe ndëshkuar mashtrimet që lidhen me fondet e BE-së.
Ky vendim është pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030 (SKZHIE), e cila udhëheq procesin e reformave për anëtarësimin e vendit në BE. Në këtë dokument, Shqipëria ka përcaktuar tri shtylla kryesore për zhvillimin e saj: forcimin e demokracisë dhe institucioneve, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe kohezionin social. Në mënyrë të veçantë, strategjia për luftën kundër mashtrimit mbështet objektivin e krijimit të një sistemi të financave publike transparent, llogaridhënës dhe efikas, duke fuqizuar rolin e inspektimit financiar publik si një komponent kyç i qeverisjes së mirë.
Gjithashtu, Strategjia Kombëtare kundër Mashtrimit është integruar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian (PKIE), me synim harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe procesi i anëtarësimit. SKKM-ja përbën një element të rëndësishëm të kapitullit 32 të acquis communautaire, i cili mbulon kontrollin financiar.
Strategjia pritet të ndihmojë jo vetëm në sigurimin e fondeve të BE-së nga mashtrimet, por edhe në rritjen e besimit të qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj kapaciteteve të Shqipërisë për të menaxhuar me përgjegjësi financat publike.
“Faza e parë e parandalimit efektiv të mashtrimit është hartimi i programeve të shpenzimeve. Ndarja e qartë ndërmjet programeve të financimit dhe operacioneve në fazën e projektimit është thelbësore për të siguruar që në të gjithë programet të miratohet një qasje koherente. Në fazën e zbatimit të programeve, mekanizmat e monitorimit dhe kontrollit me kosto efektive dhe të bazuara në risk duhet të sigurojnë zbutjen e duhur të riskut të mashtrimit”, – thuhet në Fletoren Zyrtare.