Pas arrestimit të 46-vjeçarit shqiptar Mikel Selimaj, si autor i dyshuar i vrasjes së Altin Arapajt, 41 vjeç, policia greke ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin automjet me viktimën dhe autorin në momentin e krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në zonën e Artemidës, ku katër personat – viktima, autori dhe dy të tjerët – udhëtonin me një automjet të drejtuar nga Selimaj. Ata bënë një ndalesë të shkurtër në Rafinë, ku autori dyshohet se nxori një armë zjarri dhe qëlloi Arapajn në fytyrë.
Pavarësisht plagëve të marra, viktima arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe të telefononte bashkëshorten e tij, të cilës i tregoi se ishte qëlluar nga Mikel Selimaj. Kjo telefonatë rezultoi vendimtare për identifikimin e autorit.
Selimaj u lokalizua më pas nga autoritetet në një apartament me qira në zonën Glyka Nera. Pronarja e apartamentit u alarmua kur nuk mori përgjigje pas trokitjeve të vazhdueshme në derë dhe njoftoi policinë, duke dyshuar për një emergjencë.
Pas rreth 20 minutash përpjekje për të kontaktuar, policia arriti që t’i binte ziles, dhe Selimaj hapi derën në gjendje të rënduar, nën ndikimin e lëndëve narkotike. Ai u identifikua menjëherë nga oficerët e policisë në bazë të fotos që kishin dhe u arrestua.
Në vijim të hetimeve, autoritetet greke sekuestruan dy automjete të përdorura nga i dyshuari. Në njërin prej tyre u gjet një gëzhojë dhe gjurmë gjaku të tharë, duke forcuar dyshimet se vrasja ndodhi brenda mjetit.
Të dy personat e tjerë që ndodheshin në automjet në momentin e ngjarjes u arrestuan për hetime të mëtejshme, ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Të dy, si viktima ashtu edhe autori, rezultojnë persona me precedentë penalë të njohur për autoritetet greke.